Kryeministri në largim, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria e udhëhequr prej tij shpëtoi falimentimin e kombinatit “Trepça”. Ai ka thënë se kanë ofruar zgjidhjen më të mirë për ndërmarrjen që dikur ishte më e madhja në Kosovë.
“Pas 17 vjetësh paqartësie, ofruam zgjidhjen më të mirë për Trepçën. E shpëtuam nga falimentimi, i hapëm perspektivë të fuqishme zhvillimore, i bëmë minatorët bashkëpronarë të Trepçës”, ka shkruar Mustafa, në faqen e tij në Facebook.
Mustafa kishte proceduar Ligjin për Trepçën në Qeveri e Parlament, duke pamundësuar kështu shitjen e kësaj ndërmarrjeje.
Këtë punë e kishte bërë bashkë me PDK’në në koalicion që e kishin ndërtuar pas zgjedhjeve të fundit.
Sidoqoftë, Qeveria është rrëzuar me votat e PDK’së pas një mocioni të nisur nga Opozita.
Në këtë reagim për Trepçën, Mustafa ka thënë se s’duhet pasur frikë nga sukseset e përbashkëta të kësaj Qeveria.
“Pa protagonizëm, pa frikë nga sukseset e përbashkëta!”, ka shtuar ai.
Mustafa ka paralajmëruar se nuk do të jetë më kandidat i LDK-së për kryeministër derisa rrugën do t’ua lëshojë “kuadrove të reja”.