Mustafa trimërohet nga pjesëmarrja e madhe në tubimin e LDK-së

Ferizaj | 07 Maj 2017 | 16:28 | Nga

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Ferizaj ka shënuar sot 27-vjetorin e themelimit, ku në mesin e një numri shumë të madh të qytetarëve të pranishëm, ishte edhe kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa.

Në fjalën e tij, kryetari Mustafa tha se prezenca kaq e madhe e qytetarëve në këtë tubim dëshmon seriozitetin, përkushtimin dhe të arriturat në komunën e Ferizajt por edhe në Kosovë, duke ftuar ata që po kërkojnë zgjedhje që të shohin përkrahjen e qytetarëve dhe të anëtarësisë për LDK-në.

Duke vlerësuar përkushtimin 27 vjeçar të LDK-së në të gjitha proceset, kryetari Mustafa foli për përkushtimin e LDK-së për të tashmen dhe të ardhmen.
“Kemi një vizion të qartë se ku do ta qojmë Kosovën. Kosova për ne është një Kosovë evropiane, është Kosovë në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe një Kosovë e drejtuar nga perëndimi, tjetër drejtim ne nuk kemi”, tha ai.

Kryetari Isa Mustafa foli edhe për progresin e arritur në zhvillimin ekonomik, duke theksuar se në këtë qeverisje është arritur norma më e lartë të zhvillimit ekonomik në rajon dhe se këto të arritura, janë rezultat dhe përgjegjësi e të gjithë Qeverisë.

“Kemi ndërmarrë reformat më të mëdha fiskale dhe më të suksesshme që ka marrë ky vend. Kemi siguruar buxhetin më të madh në histori. Kemi krijuar marrëdhëniet më të mira me institucionet financiare ndërkombëtare. Kemi luftuar dhe po luftojmë pakompromis krimin dhe korrupsionin në vend dhe dikujt po i vjen mërzi, por ne nuk do të ndalemi dhe nuk frikësohemi në asnjë rast. I kemi ndërmarrë politikat sociale më të mira gjatë kësaj periudhe, i kemi rritur pensionet dhe kemi bërë që ato të jenë dinjitetshme. Kemi rritur ndihmat sociale, iu kemi siguruar veteranëve të luftës që ata t’i marrin pensionet në këtë mandat qeverisës. I kemi kthyer popullsisë dhe bizneseve 400 milionë euro obligime që i kanë pasur”, tha kryetari Mustafa.

Më tej, lideri i LDK-së dhe kryeministri i vendit tha se rezultatet evidente të arritura deri më tani, në qeverisjet e ardhshme të LDK-së në të gjitha nivelet do të jenë edhe më të mëdha.

“Ky vend do të përfitojë sepse do ta zhvillojmë në mënyrë ekonomike. Nuk do të lemë që paratë publike të shkojnë në xhepat private, do ta përmirësojmë pozitën e pensionistëve, do ta përmirësojmë pozitën e nxënësve, do ta përmirësojmë pozitën e gruas, do ta përmirësojmë pozitën e të rinjve”, tha ai.

Kryetari Mustafa foli edhe për vendimet e rëndësishme të cilat LDK do t’i marrë e bashkuar dhe pa asnjë ndarje.

“Ne duhet të marrim vendimin për liberalizimin e vizave. Ne, juve qytetarëve të Ferizajt edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet t’ua mundësojmë me dal prej izolimit. Në qoftë se dikush prej jush mendon se ka dikush të drejtë t’i mbajë qytetarët në izolim qone dorën këtu dhe ne dorëzohemi para vullnetit tuaj. Në qoftë se jo, atëherë ne do të dorëzohemi para vullnetit tuaj që të marrim vendim që këta qytetarë t’i nxjerrim nga izolimi. Ky është vendim i rëndësishëm, ky nuk është vendim që lidhet me sjelljet populliste, që lidhet me folklor, është vendim shtetëror, është vendim që duhet ta marrim në koordinim me SHBA-të”, tha ai.

Kryetari Isa Mustafa foli po ashtu për mocionin e opozitës duke theksuar se LDK nuk i frikësohet aspak këtyre iniciativave dhe se LDK është plotësisht unike.

“Ne s’kemi çka të shqetësohemi prej asnjë kërkese, prej asnjë iniciative politike sepse kështu si jemi edhe sonte nëse dalim në zgjedhje kemi me i mundë”, tha kryeministri Mustafa, duke uruar të gjithë aktivistët e LDK-së për 27 vjetorin dhe duke i falënderuar përzemërsisht për përkushtimin e tyre.

Kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj dhe njëherësh kryetar i Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, foli për rezultatet e kësaj komune gjatë qeverisjes aktuale.

“LDK-ja në Ferizaj përmes politikave të mira të qeverisjes së kësaj komune ka ndërmarrë disa politika e veprime për të shpejtuar rrjedhat e zhvillimit të ekonomisë”, tha kryetari Sfarqa, duke shtuar se pushteti lokal i udhëhequr nga LDK-ja e ka shndërruar Komunën e Ferizajt në një komunë dinamike me një zhvillim të përshpejtuar dhe të paparë infrastrukturor, në ndërtimin e rrugëve, sistemeve të kanalizimeve, ujësjellësit, objekteve të interesit publik, shkollave e çerdhe për fëmijë, qendra shëndetësore…

Kryetari Sfarqa ka falënderuar pushtetin qendror për kujdesin e shtuar ndaj kësaj komune.

“Për këto të arritura, për këto investime të bëra deri më tash si dhe ato që pritet të ndodhin këtë vit ndjejë përgjegjësinë para të gjithë juve por edhe obligim të falënderoj dhe i jam shumë mirënjohës ndaj liderit tonë të partisë dhe kryeministrit Akademik Isa Mustafa. Kryeministri, pavarësisht presionit të pandalshëm që nga dita e parë e qeverisjes e këndej na ka mbështetur dhe ka treguar mirëkuptim ndaj projekteve dhe kërkesave tona”, tha Sfarqa.

Gjatë këtij tubimi, i është akorduar Çmimi “Ibrahim Rugova” veprimtares dhe ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, Sanije Aliaj, si dhe janë shpërndarë librezat e anëtarësisë për 27 të rinj, në mesin e shumë të rinjve që janë anëtarësuar në LDK.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme