Kryeministri Isa Mustafa do të udhëheqë delegacionin kosovar të bizneseve dhe zyrtarëve shtetërorë në Romë të Italisë, më 31 janar 2017, në kuadër të Forumit Ekonomik për zhvillimin e qarkullimit tregtarë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë.
Me këtë rast, Qeveria fton për pjesëmarrje bizneset të cilat kanë interesim në procesin e shitjes së produkteve dhe blerjes së pajisjeve dhe makinerive të prodhuesve dhe mundësinë e bashkinvestimit ndërmjet aktorëve ekonomikë.
Forumi do të përqendrohet tek sektorët si: teknologjia agroindustriale, teknologjia e industrisë së ushqimit, teknologjia e industrisë së qumështit, teknologjia e përpunimit të drurit, tekstilit, mbathjeve dhe lëkurës, investimet në energji, ndërtimtari, infrastrukturë si dhe teknologjisë informative.
Në këtë Forum, prezent nga ana e Italisë do të jenë biznese italiane mbështetëse dhe agjentë të shumtë që përfaqësojnë industri shitëse dhe blerëse.
Po ashtu, do jenë edhe kompani financiare që mbështesin kreditimin e eksportit të këtyre pajisjeve me kushte të volitshme, njofton Zyra e Kryeministrit.