Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa gjatë vizitës së tij bashkë me strukturat e kësaj partie në Bashkësinë Islame të Kosovës, tha se Festa e Fitër Bajramit “na bënë bashkë të gjithëve”.
Mustafa, pos që uroi myftiun Naim Tërnava, me të cilin u takua dhe besimtarët shqiptarë, ai tha se e vlerëson punën e BIK-ut, “pasi ka bërë një punë shumë të madhe në ruajtjen e unitetit në vend dhe më gjerë”.
“Unë shfrytëzoj rastin t’iu uroj juve këtë Festë shumë të rëndësishme për ne. Isha sot që Bashkësisë Islame dhe Myftiut t’i urojë Festën e Bajramit. Kjo është festë që të gjithëve na bënë bashkë, jo vetëm simbolikisht në një tryezë, por edhe mundësisht që ne bashkërisht të shkojmë përpara, që të zgjidhim të gjitha problemet që janë probleme të qytetarëve tanë, që të jetojmë më mirë, që të respektojmë vlerat themelore të një shoqërie, që të punojmë për paqe, për stabilitet dhe për mirëqenie të gjithë qytetarëve tanë. Unë shpreh edhe sot, respektin shumë të lartë për Bashkësinë Islame të Kosovës, për punën që kjo Bashkësi e ka bërë në unitetin e qytetarëve tanë, por edhe në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe më gjerë”, tha ai.