Kryeministri Isa Mustafa, në konferencën e fundvitit për media, ka thënë se shkarkimi i Ljubomir Mariq është i pakthyeshëm.
Ai ka thënë se secili ministër duhet të bëjë punën e tij dhe të merret me çështjet e dikasterit, nëse nuk do që ta pësojë njëjtë.
“Të gjithë ne do të angazhohemi që Lista Serbe të kthehet në kuvend, që ministrat serbë t’i kemi në qeveri – por jo domosdoshmërisht individë të caktuar. Ljubomir Mariq është shkarkuar dhe sa i përket këtij mandati, vendimi është i përhershëm, deri në fund të këtij mandati. Minsitrat duhet ta bëjnë punën si anëtarë të qeverisë, sepse nuk mund të qëndrojnë në pozicion ndryshe”.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Mustafa ka thënë e shteti fqinj është treguar destruktiv, duke mos respektuar marrëveshjet dhe ndërtuar mure, të cilat sipas tij do të trajtohen në përputhje me ligjin.
“Ne nuk do ta vajtojmë problemin me Serbinë. Do ta pranojmë që kemi probleme në veri të vendit. Në këtë rast duhet të normalizuar gjendja, për c’gjë shërben dialogu. Këtë proces mund ta zhvillojmë vetëm përmes dialogut. Ne mund të krekosemi me lloj-lloj kërcënimi, por nuk është në natyrën time që të sillem ashtu. Duhet të funksionojë ligji dhe cdo gjë të zgjidhet përmes tij”
Mustafa prezanton “sukseset dhe sfidat” e vitit 2016
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shpalosur punën e vitit 2016 duke thënë se Qeveria ka arritur suksese karshi situatave dhe sfidave që ka pasur.
Ai tha se Kosova ka pasur rritje ekonomike prej 4 për qind më të lartën në rajon, buxhet prej 2 miliardë euro, është nënshkruar MSA-ja, është marrë rekomandimi për liberalizimin e vizave, anëtarësimi në UEFA e FIFA, etj.
“Në ekonomi kemi rezultate të prekshme, kemi rritje të zhvillimit ekonomik, 20 mijë vende të reja të punës presim t’i kemi këtë vit . Në bujqësi është rritur përkrahja për bujqit, është rritur konsumi për produktet vendore. Në infrastrukturë është punuar dukshëm për autostradën për Shkup”, u shpreh Mustafa.
Sa i përket Ligjit për “Trepçën”, ai tha se po punohet për të rritur performancën e kësaj ndërmarrje.
Ai tha se gjatë këtij viti janë shënuar edhe dy njohje, raporton Ekonomi Online.
Mustafa ka thënë se për liberalizimin e vizave janë përmbushur të gjitha kriteret përpos asaj të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Mustafa gjatë konferencës për media foli edhe për bisedimet me Serbinë, duke theksuar se Serbia po saboton duke mos respektuar marrëveshjet dhe duke ngritur mure.
“Sa i takon dialogut kemi vazhduar me konstruktivitetin tonë edhe përkundër që Serbia nuk po i zbaton marrëveshjet e po ngrit mure”, tha Mustafa.
Sipas tij, kauza e demarkacionit po bëhet për interesa personale të partive politike dhe po bllokojnë qytetarët e Kosovës të mos lëvizin pa viza.
Ai gjithashtu theksoi se gjatë këtij viti është punuar edhe në fushën e rendit dhe ligjit.
“Është bërë punë e mirë nga Policia e Kosovës në ruajtjen e rendit dhe ligjit. Është intensifikuar lufta kundër krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Mustafa.