Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova është e përkushtuar që ta përmbushë kriterin e fundit për vizat e që është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.
“Biseduam po ashtu edhe për procesin e liberalizimit te vizave si proces shumë i rëndësishëm për ne, theksova edhe kriterin e fundit i cili ka mbetur”.
Pas një takimi njoftues që pati me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, shefi i Qeverisë theksoi se Kosova është e përkushtuar edhe në dialogun me Serbinë.
Mustafa bëri me dije se ka ftuar BE-në që t`i bëjë presion Serbisë, e cila sipas tij, po e zvarrit këtë proces.
“Gjatë takimit ne biseduam për çështje konkrete, biseduam për procesin e MSA-së, proces i cili po tregohet shume i suksesshëm , dialogun me Serbinë dhe gjithashtu theksoi nevojën që BE të bëj trysni në Serbinë në mënyre që të implementohen marrëveshjet e deritashme te arritura, sepse ka zvarritje të këtyre marrëveshjeve”.
Nga ana e saj, e dërguara e re e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka theksuar se Kosova është lart në agjendën e BE-së.