Shkodran Mustafi po i kalon ditët e tij të fundit te Arsenali.
Mbrojtësi shqiptar nuk është në planet e Topçinjve që po mendojnë ta shesin gjatë afatit kalimtar të verës.
E ardhmja e tij mund të jetë në kampionatin italian Serie A, ku Roma është skuadra e fundit që ka shprehur interesim.
Në fakt për Mustafin do të ishte një rikthim në kampionatin italian, pasi më parë ka veshur fanellën e Sampdorias.
Reprezentuesi gjerman vlerësohet rreth 20 milionë euro, ndërsa Roma synon ta marrë si huazim një vjeçar.
Giallorosët i kanë propozuar Arsenalit huazimin e lojtarit për tre milionë me të drejt blerje për 17 të tjera vitin e ardhshëm.
Edhe paga e lojtarit prej tre milionë euro në sezon është e përballueshme për Romën.
Skuadra nga kryeqyteti italian kishte tjera opsione për mbrojtjen, pasi synonte fillimisht Toby Alderweireld e Daniele Rugani.