Qendërmbrojtësi Shkodran Mustafi ka qenë mbresëlënës për Arsenalin që kur është kthyer në formacionin e parë nën drejtimin e trajnerit Mikel Arteta dhe tani është i gatshëm ta rinovojë kontratën e tij me klubin londinez.
Mbrojtësi gjerman me origjinë shqiptare ka shijuar më shumë minuta lojë në Emirates për Topçinjtë, që kur Mikel Arteta e ka zëvendësuar Unai Emeryn në pozitën e trajnerit.
Mustafi është përballur me shumë dyshime rreth talentit të tij dhe rreth të ardhmes së tij te klubi londinez. Megjithatë, ai e ka fituar besimin e trajnerit Arteta dhe tani po e shijon të qenët titullar sërish në skuadrën e Arsenalit.
Përderisa vetëm para rreth dy muajve ishte kërkuar shitja e Mustafit për shkak të disa gabimeve të tija që i kushtuan me pikë Arsenalit, tani ai e ka fituar sërish zemrën e tifozëve. Tani ai pritet të qëndrojë në Emirates edhe përtej qershorit të vitit 2021, kur i përfundon kontrata.
“Pse jo?”, u përgjigj Musatfi, kur u pyet se a do ta rinovonte kontratën me Arsenalit, pas fitoren me rezultat 1:0 kundër Olympiakosit në ndeshjen e parë të 1/16 të finales së Ligës së Evropës.
“Unë gjithmonë i kam marrë gjërat ditë pas dite. Ne e kishim një ndeshje të enjten, e kemi një ndeshje të rëndësishme edhe në fundjavë dhe për aq kohë sa unë do të jem duke luajtur për një klub do ta jap maksimumin nga vetja deri në minutën e fundit”.
“Kur unë të vendos ose kur klubi dhe unë do të vendosim… do të vazhdojmë së bashku nëse jam i lumtur, nëse jo atëherë duhet të ecim përpara”.