Bologna e kërkon Mustafin

Prishtinë | 25 Dhj 2019 | 11:10 | Nga Ekonomia Online

Qendërmbrojtësi shqiptar mund të largohet nga Arsenali gjatë janarit për t’u rikthyer në Serie A. Përfaqësuesi gjerman mund të përfundojë tek Bologna

Shkodran Mustafi i ka bërë valixhet gati për t’u larguar nga Arsenali, shkruan Gazeta Express.

Klubi londinez nuk llogarit më në shërbimet e qendërmbrojtësit shqiptar, i cili nuk ka bindur me kualitetet e tij që kur u transferua nga Valencia vite më parë.

Mediat italiane shkruajnë se futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut mund të rikthehet në Serie A në afatin kalimtar të janarit.

“Tuttomercatoweb” shkruan se interesim për Mustafin ka shfaqur Bologna.

Ka mundësi që futbollisti të huazohet për gjashtë muaj tek klubi italian, i cili do ta ketë mundësinë ta blejë atë përfundimisht në fund të sezonit.

Mustafi, kampion i botës me Gjermaninë në vitin 2014, është kritikuar shpesh nga tifozët “Gunners” pas gabimeve dhe pasigurisë që e ka shfaqur këto vite.

Në të kaluarën, 27 vjeçari kishte luajtur me sukses në Itali me Sampdorian.

Nuk përjashtohet mundësia që futbollisti shqiptar të rikthehet edhe në Bundesligë.

Ai ka kontratë me Arsenalin deri në verën e vitit 2021. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme