Mustafit i shkon edhe një padi nga Serbia, ai e ndërlidh me vendimin për targat

Prishtinë | 23 Sht 2021 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginë, Ragmi Mustafit i ka shkuar edhe një ftesë nga Gjykata për ngritjen e flamurit shqiptar në selinë e këtij këshilli në nëntor të 2020-ës.

Këtë ai e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook, teksa ka thënë se padia është ngritur për shkak të masave reciproke nga Kosova.

“Kjo padi ngritet pasi që Kosova ka ndërmarrë masat e reciprocitetit në targa. Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, megjithatë duket e çuditshme ashtu si edhe paditë paraprake se si përputhet në kuptimin kohor me rrethanat politike dhe qëndrimet e mia në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi”, ka shkruajtur ai.

Ai ka thënë se në këtë pjesë, po rritet dita-ditës presioni dhe përndjekja politike ndaj shqiptarëve.

Postimi i plotë i Mustafit në Facebook:

Sot, pranova ftesën e radhës nga gjykata e Vrajës, për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar, në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, më 28 nëntor 2020.

Si edhe dy herëve të kaluara, akuzohem dyfishtë për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar”.

Kjo padi ngritet pasi që Kosova ka ndërmarrë masat e reciprocitetit në targa. Sado që do të besosh në paanësinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, megjithatë duket e çuditshme ashtu si edhe paditë paraprake se si përputhet në kuptimin kohor me rrethanat politike dhe qëndrimet e mia në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

Shihet qartë se po rriten çdo ditë e më shumë, jo vetëm presioni por edhe përndjekja politike dhe ligjore e pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi, e në Luginën e Preshevës. E akuza e ripërsëritur për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar” nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si përndjekje politike.

Mund edhe të më dënoni vazhdimisht, por si prijës i Këshillit Kombëtar Shqiptar nuk do të zmbrapsem politikisht nga beteja e drejtë e ligjore për lejimin e përdorimit të flamurit kombëtar.

Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me I përdorur simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi I Millosheviqit, nuk do të mundet as ky i Vuçiq.

Edhe njëherë, e drejta e përdorimit të simboleve kombëtare për minoritetet jo vetëm se është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe me frymën dhe germat e Kushtetutës së Serbisë.

Pra, në vend se t’i shtypë shqiptarët në emër të shtetit ligjor, Serbia ta respektoj Kushtetutën e saj dhe të filloj demokratizimin e saj duke u shkëputur nga politikat diskriminuese ndaj minoriteteve. Të çlirohet nga politikat shtypëse duke e ndryshuar Ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, për ta përputhur me Kushtetutën e saj dhe standardet demokratike.

Serbia nuk mund ta përzgjedh flamurin e shtetasve të saj shqiptar. Atë e përzgjedhin vetë shqiptarët!

Prandaj ligji do të ndryshojë, flamuri JO!.

Uroj që Prishtina dhe Tirana zyrtare të jenë më dinamike në sensibilizimin e qarqeve diplomatike ndërkombëtare ndaj presioneve dhe diskriminimit të shqiptarëve në Serbi.

Të ngjashme