Komuna e Prizrenit, me kryetar, Mytaher Haskuken, ka vazhduar të nënshkruaj kontrata të dyshimta, e tillë është edhe kontrata e fundit me vlerë 102,040.00 euro, të cilët kanë paguar 14 euro për një litër dezinfektues i cili në treg ka vlerën e 5 eurove, shkruan Gazeta Metro.
Kosova po përballet me situatë emergjente të pandemisë, por kjo nuk e ka penguar komunën e Prizrenit që të nënshkruajë kontratë të dyshimtë në vlerë prej 102,040.00 euro, për furnizim me materiale, që rezultojnë që të jenë me çmime shumë herë më të larta se ato në treg.
Por ajo që e bënë edhe me të dyshimtë këtë kontratë është, se kompania fituese e këtij tenderi, organizon konferenca e panaire.
Komuna e Prizrenit, më 6 prill të këtij viti, ka nënshkruar një kontratë për ” Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga koronavirusi në Komunën e Prizrenit” .
Kjo kontratë është nënshkruar me kompaninë “Eka Tradeing“ Sh.P.K. dhe komunës së Prizrenit që udhëhiqet nga Vetëvendosje është kryer duke ndjekur procedura të negociuar pa publikimin të njoftimit për kontratë.
Komuna e udhëhequr nga Vetëvendosja, kontratën me vlerë prej mbi 102,040 eurosh, e ka zhvilluar me procedura të rasteve emergjente, pa publikim të njoftimit për kontratë, duke e bërë fituese kompanisë e cila ende nuk i ka mbushur as një vit nga themelimi i saj dhe e cila e ka të deklaruar vetëm një punëtor.
Kompania fituese e kontratës, ka vlerë kapitale 1,000 euro, e cila ende nuk i mbushur një vit nga themelimi i saj dhe e cila ka vet një punëtor të regjitruar.
Kapitali i kësaj kompanie, e cila ende nuk ka një vit që është themeluar, është vetëm 1,000 euro.
Por kjo si duket nuk i ka penguar aspak Komunës së Prizrenit që t’i japë kontratë prej mbi 102,040.00 eurosh.
Pra, Komuna e Prizrenit ka blerë material për mbrojtje nga koronavirusi, në vlerë prej hiç më pak se 102,040 euro, nga një kompani që organizon konferenca dhe panaire.
Aktivitetet tjera të deklaruara në ARBK nga kompania “Eka Tradeing“ Sh.P.K. janë edhe tregtia me shumicë jo e specializuar, kanalizimi, zhvillimi i projekteve të ndërtimit, ndërtimi i projekteve banesore dhe jobanesore, ndërtimi i projekteve të ujit, punime montimi nga druri dhe materiale të tjera, aktivitetet e fotografimit, aktivitetet e përkthimit dhe interpretimit si dhe aktivitet mbështetëse për shfaqje artistike.
Të gjithë artikujt në këtë tender janë paguar shumë herë më shtrenjtë se çmimet e artikujve në treg, ose për krahasim me çmimet që i kanë paguar komunat tjera fqinje. Kjo ka ndodhur si pasojë e ngutisë për blerje shumë të shpejtë me procedurë të gabuar, si dhe me operatorin e gabuar i cili në asnjë rast nuk është i autorizuar as licencuar për këto shitje.
Komuna e Prizrenit ka paguar 8,9 Euro për një maskë të tipit FFP2, me ç’rast për 600 copë Komuna e udhëhequr nga Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes, ka paguar hiç më pak se 5,340 Euro.
E njëjta maskë në treg ka një çmim prej 3 deri 4 euro dhe të njëjtën Komuna e Dragashit e ka blerë për vetëm 3.8 euro. Komuna që udhëhiqet nga Shaban Shabani i ka blerë 4,500 maska të tilla për 17 mijë e 100 euro përmes tenderi për furnizim me materiale mbrojtëse nga COVID-19.
Përveç maskave FFP2, Komuna e Prizrenit ka paguar çmime enorme edhe për dezinfektues.
Për një litër dezificient për dezinfektimin higjienik dhe kirurgjik të duarve, Komuna e Prizrenit ka paguar çmimin prej 14 eurosh, duke paguar 2,800 euro 200 litra dezinfektues higjienik dhe kirurgjik të duarve.
Në treg i njëjti dezinfektues ka një çmim prej afër 5 eurosh. Komuna e Dragashit një produkt të tillë e ka siguruar me 5.5 euro.
Dezinfektuesi për pajisje medikale nga Komuna e Prizrenit është paguar 15 euro për litër, kurse në treg ky produkt ka një çmim prej afër 3 euro për litër.
Komuna e Prizrenit, e udhëhequr nga Vetëvendosje me kryetar Mytaher Haskukën, nuk është hera e parë që nënshkruan kontrata të tilla të dyshimta, shkruan Metro.