Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) nuk e konsideron konflikt interesi punësimin e Liridon Mavriqit, ish-menaxherit të projektit për termocentralin “Kosova e Re” në kompaninë “Contour Global”.
Nga viti 2013 deri në vitin 2015, Mavriqi ka qenë njeriu kryesor i projektit për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.
Në përgjigjen e MZhE-së për Gazeta JnK thuhet se Liridon Mavriqi nga viti 2013 deri në vitin 2015 nuk ka qenë i punësuar në cilësinë e zyrtarit të Qeverisë së Kosovës.
“I njëjti është angazhuar në cilësinë e ofruesit të shërbimeve profesionale. Si ofrues i shërbimeve, në bazë të kontratës së lidhur, i njëjti ka ofruar këshilla profesionale nga korriku 2013 deri në korrik 2015, kur është bërë ndërprerja në baza vullnetare e kontratës”, thuhet në përgjigjen e MZhE-së.
Sipas tyre shërbimet e ofruara janë rregulluar në bazë të kontratës standarde për shërbime nga operatorët ekonomikë, apo profesionistët e lirë që kontraktohen përmes procedurave dhe sipas kontratës, e cila përdoret për të gjithë ofruesit e shërbimeve, ashtu siç është aprovuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.
Më tej MZhE ka thënë se në kontratën e Liridon Mavriqit nuk ka pasur limite të përcaktuara për angazhimin e tij pas përfundimit të kontratës si menaxher i projektit të TC “Kosova e Re”.
“Me përfundimin e kontratës me ofruesin e shërbimeve, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka përfunduar edhe detyrimet me ofruesin. Kjo kontratë për ofrimin e shërbimeve nuk përcakton ndonjë limit lidhur me angazhimet e ofruesit të shërbimeve pas periudhës së përfundimit të kontratës”, theksohet në përgjigjen e MZhE-së.
Por, MZHE-ja nuk ia ka bashkangjitur kontratës edhe aneksin në të cilin flitet për përgjegjësit e Mavriqit, përkundër pyetjeve rreth kësaj çështje të dërguara nga Gazeta JnK.
Liridon Mavriqi para se ta merrte timonin e projektit ‘Kosova e Re’, nga viti 2011 deri në vitin 2013 ka qenë këshilltar i ministrit të zhvillimit ekonomik, Besim Beqaj. Pra, ka pasur pozitë politike në të njëjtën ministri ku ishte i angazhuar përmes tenderit.
Kallxo.com nuk ka marrë përgjigje kur ka kërkuar koment nga MZhE-në nëse të emëruarve politik ju lejohet të kthehen e të punojnë për kompanitë me të cilat kanë pasur negociata, procedura të tenderimit dhe janë kontraktuar nga e njëjta ministri.