Nacionale: Edhe Memli Krasniqi e Ganimete Musliu në listën për ekzekutim, i dyshuari nga Belgjika

Prishtinë | 18 Jan 2023 | 23:04 | Nga Ekonomia Online

Nacionale.com raporton se krahas deputetëve të LDK-së, në listë për ekzekutim kanë qënë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe deputetja e kësaj partie, Ganimete Musliu.

Informatat për ngjarjen më të rëndësishme të kësaj mbrëmje nuk kanë të ndalur. Sic edhe jeni informuar gjatë orëve të pasditës një grup shqiptarësh që jetojnë jashtë Kosovës kanë rënë në përgjimin e policisë gjermane, teksa kanë qënë duke folur për realizimin e disa vrasjeve politike në vendin tonë.

Fillimisht është menduar që cak i një atentati të mundshëm ka qënë kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetë të tjerë të LDK’së, Avduallah Hoti, ish kryeministër, si dhe deputetët Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

Gazeta Nacionale ka mësuar që përvec këtyre katër zyrtarëve të lartë të LDK’së, atentatori i mundshëm, ose organizatori atentatit, i ka shënjestëruar edhe kryetarin e PDK’së, Memli Krasniqin dhe deputeten e zëshme të kësaj partie, Ganime Musliun.

Sipas burimit të Nacionales, politikanët e Kosovës për këtë rast janë informuar nga autoritetet gjermane të ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky burim ka treguar që një zyrtare e MPB’së gjermane i ka ndarë materialet konfidenciale me politikanët e Kosovës, të cilët pastaj këto informata i kanë ndarë me policinë e Kosovës.

“I dyshuari mendohet që është një shqiptar i Kosovës që jeton në Belgjikë. Ai ka qënë duke u hetuar nga autoritetet gjermane për krime të tjera, e rastësisht ka rënë në përgjim për idetë e tij të cmendura, për të kryer krime politike në Kosovë”, ka thënë burimi. Sipas të njëjtit burim, nuk ka dyshim që motivi është politik.

“Është e pamundur të pohohet që atij dikush i ka dhënë urdhër për të vrarë rival politik, mirëpo përgjimet tregojnë që motivi është i pastër politik”, tha burimi. Sipas tij tash mbetet te shihet se cfarë veprimesh do të ndërmarrë policia e Kosovë, e cfarë veprimesh do të ndërmerr qeveria.

Burimi i njëjtë ka treguar që në përgjime, përvec qytetarit shqiptar në Belgjikë, është përmendur edhe një lidhje nga Turqia, si dhe një organizatë e njohur në Kosovës, por që për arsye të zhvillimit të hetimeve, ky burim nuk ka dashur ta përmendë.

Të ngjashme