Dhuna ekonomike – problem për gratë, kërkohet ndryshimi i Ligjit për familjen

Prishtinë | 25 Qer 2018 | 10:53 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zbatimi dhe keqinterpretimi i ligjeve në Kosovë, veçanërisht i Ligjit për familjen, mbetet çështje problematike dhe pengesë në parandalimin e dhunës. Kështu u tha në tryezën “Si ta parandalojmë dhunën ekonomike?”, organizuar nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi – Inject.

Luljeta Aliu, nga Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi, derisa prezantoi disa të dhëna lidhur me përfaqësimin e grave, tha se përveç dhunës fizike, problem mbetet edhe ajo ekonomike e institucionale, raporton Ekonomia Online.

Sipas Aliut, institucionet shumë shpesh refuzojnë të merren me dhunën ekonomike me arsyetimin se nuk janë hetues.

“Përqindja e grave të punësuara është 12.5, më pak se 10% të grave kanë pronë, ndërsa  përqindja e dhunës në familje 40.9%. Shkak i dhunës në familje është mentaliteti patriarkal. Një nga shkaqet është dhuna ekonomike”.

“Një shkak tjetër, që është për mua shumë shqetësues, është dhuna institucionale. Nënkuptohet dhuna strukturore e cila manifestohet në trajtimin e institucioneve që ia bëjnë dhunës në përgjithësi, po flas për dhunën e gjyqësorit dhe policisë dhe institucioneve të tjera”.

Aliu deklaroi se dhuna ekonomike është thelbi i dhunës në familje.

“Është kufizim i qasjes në resurset e përbashkëta familjare. Kur një partner e kushtëzon partnerin tjetër me kushtëzim, kufizimi i resurseve të drejta edhe vendimeve, pengimi i njërit partner që të punojë. Institucionet hezitojnë edhe refuzojnë sepse thonë se nuk janë hetues”.

Ndërsa Mexhide Mjaku-Topalli, kryetare e Grupit të Grave Deputete, tha se komisioni i të drejtave të njeriut, pjesë e të cilit është, ka monitoruar vazhdimisht ligjin për dhunën në familje.

Ajo tha se dhuna është duke ndikuar në diskriminimin e grave, raporton EO.

“Është e vërtetë që dhuna është fenomen që po mbyt apo diskriminon gjysmën e pjesës së shoqërisë sonë. Ne kemi monitoruar ligjin kundër dhunës në familje, kemi parë që ka ngecje në zbatim të ligjeve. Agjensioni për barazi gjinore për të qenë ligji më i kapshëm dhe për të gjetë zbatim ka hartu edhe komentarë të ndryshëm në mënyrë që të shtjellojë më mirë të gjitha paqartësitë brenda ligjeve”.

Mbështetëse e iniciativës për ndryshimin e Ligjit për familjen është edhe Ambasada zvicerane.

Anita Schluchter Roth, zëvendësambasadore zvicerane në Kosovë, tha se çështja e grave duhet të shihet si problem më i gjerë.

Sipas saj, ligjet në Kosovë janë të mira mirëpo problem mbetet zbatueshmëria e tyre.

“Në fakt disa studime, por edhe raste individuale, tregojnë se gratë akoma përballen për të pasur trajtim të barabartë në disa fusha të jetës. Ne mbështesim iniciativat që dëshirojnë të shtjellojnë çështjet në detaje”.

“Kur flasim për problemet, të themi për Ligjin për familje dhe zbatueshmërinë dhe nevojës për me ndryshu disa ligje, ne flasim me të drejtë për gratë sepse situata është për gratë dhe kur e shikoj në të ardhmen, mendoj se është e rëndësishme se në afat më të gjatë nuk është vetëm çështje e grave”.

 

Të ngjashme