Të gjetura shqetësuese nga IPK: Policia e ngathët në reagimin ndaj dhunës në familje, deri 32 minuta vonesa

Prishtinë | 19 Jan 2024 | 20:51 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka hartuar një raport për “Trajtimin e dhunës në familje nga Policia e Kosovës”, që është publikuar në dhjetor të vitit 2023, e që të gjeturat janë shqetësuese.

Raporti tregon shumë mangësi të Policisë së Kosovës gjatë reagimit në raste të dhunës në familje, shkruan Infosot.

Disa stacione qëndrojnë më mirë, e disa janë tepër keq në reagimin ndaj thirrjes kur raportohet dhunë në familje.

Sipas raportit të IPK, reagimet policore, në rastet e dhunës në familje në minuta, mesatarja është 19.2 minuta në 14 stacione, ndërsa stacioni me reagimin më të shpejt është konsideruar Juniku me 6 minuta, ndërsa stacioni me reagimin më të ngathët ai i Gjilanit me 32 minuta.

Po ashtu raporti i inspektimit nxjerr në pah se lidhur me burimet njerëzore në kuadër të njësive hetimore të dhunës në familje janë hasur dobësi lidhur me mosplotësimin e vendeve të punës në kuadër të njësive hetimore në disa prej stacioneve policore, mos lëshimi i vendimeve për hetuesit konform strukturës së re të organizimit LPA-së si dhe ngarkimin e hetuesve primar të dhunës në familje edhe me raste të tjera.

“Lidhur me aktivitetet operative dhe hetime janë hasur dobësi në zgjatjen e kohës mesatare të reagimit në thirrje të qytetarëve për dhunë në familje, mungesën në disa dosje të raportimeve njoftuese për Prokurorinë mbi dyshimet e arsyeshme të kryerjes së veprave penale, mos aplikimin e vlerësimit të rrezikut për viktimat në një numër rastesh sipas formës së përcaktuar, cilësinë në disa prej kallëzimeve penale (ana teknike dhe përmbajtjesore), mungesën e Raportit ditor për rastin e dhunës në familje në disa prej dosjeve, mosrespektimin e zinxhirit komandues gjatë procedimit të një numri të konsideruar kallëzimesh penal dhe mos bashkëngjitjen e tërë dokumentacionit gjatë procedimit të lëndëve në SMIL”, thuhet në raportin e IPK me të gjeturat.

Mangësi janë hasur edhe lidhur me infrastrukturën fizike dhe teknike, që ka pasur ngecje në krijimin dhe funksionalizimin e “dhomave mike” në disa prej stacioneve policore, sigurimin e teknologjisë për komunikim për intervistimin e palëve të parapara me planin e veprimit të strategjisë dhe sigurimin e alkool testeve në disa prej stacioneve për matjen e përmbajtjes së alkoolit tek personat e dyshuar si kryerës të dhunës në familje.

Nga të gjetur IPK ka dhënë një mori rekomandimesh që kjo gjendje të përmirësohet nëpër stacionet Policore të Policisë së Kosovës.

“Bazuar në gjetjet, përfundimet dhe nevojat për përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve IPK rekomandon komandantëve të stacioneve policore të inspektuara, që në koordinimin me drejtoritë rajonale të ndërmarrin veprime për përmbushjen e ekipeve hetimore me personal të mjaftueshëm për trajtim të rasteve të dhunës në familje, bazuar në strukturën organizative. IPK-ja rekomandon Drejtorit të Drejtorisë së Personalit që të pajisë hetuesit e dhunës në familje me vendim përkatës për vendin e punës. IPK u rekomandon komandantëve të stacioneve policore në Gjilan dhe Malishevë, shefave të operativës dhe mbikëqyrësve të ndërrimeve, që të mobilizohen në ushtrimin e kontrolleve mbi njësit policore, për të siguruar kohë më të shpejt në thirrje të qytetarëve për dhunë në familje. IPK po ashtu rekomandon shefave të sektorëve të hetimeve dhe mbikëqyrësve të ekipeve të hetimeve, që të ushtrojnë kontroll të shtuar mbi hetuesit që trajtojnë raste të dhunës në familje, për t’u siguruar se Mbrojtësit e Viktimave të njoftohen edhe me shkrim lidhur me rastet, për të qenë në funksion të viktimave të dhunës në familje”, thuhet në disa nga rekomandimet e IPK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme