Arrestohet një polic i Kosovës, dyshohet për vjedhje të rëndë në Mitrovicë

Prishtinë | 23 Dhj 2021 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” në bashkëkryerje.

Sipas njoftimit të Policisë, informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kanë  pranuar ditë më herët  nga Policia e Kosovës me dyshimin se zyrtari policor ishte i përfshirë në një rast të “vjedhjes së rëndë” në bashkëkryerje në një nga filialet për tranfsere parash në Mitrovicë më 26.11.2021.

“I dyshuari i parë për këtë rast është arrestuar nga policia ditën që ka ndodhur rasti kurse si rezultat i hetimeve të zhvilluara janë identifikuar edhe dy të dyshuar për këtë rast (duke përfshirë këtu zyrtarin policor)”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kanë ndërmarrë disa veprime hetimore dhe pas  këtyre veprimeve hetimore,  zyrtarit policor (të dyshuar në këtë rast) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 315 lidhur me nenin 31 (bashkëkryerje)  i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

Më 26 nënror Policia kishte njoftuar se një 19 vjeçar është arrestuar në Mitrovicë, pasi i njëjti sot rreth orës 17:40 ka grabitur sasi të konsiderueshme parash në një institucion për transferimin e parave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme