Tenisti numër një i botës, Rafael Nadal, e siguroi një vend në rundin e tretë të Australian Open me fitore në tri sete radhazi kundër argjentinasit Federico Delbonis.
Rafael Nadal, i cili po e kërkon titullin e 20-të të Grand Slams, e mposhti 6-3 7-6 (7-4) 6-1 tenistin e radhitur në pozitën e 76-të në ranglistën botërore, Federico Delbonisin.
Tani, në rundin e tretë të turneut Australian Open, spanjolli Nadal do të përballet me bashkëkombësin e tij Pablo Carreno Busta, i cili radhitet i 27-i në botë.
Ndërsa, Dominic Thiem dhe Karen Khachanov siguruan fitore zbavitëse në pesë sete në ditën e katërt të turneut në Melburn, përderisa edhe Nick Kyrgios mori vëmendje me fitoren e tij.
Nadali s’e ka fituar titullin e Australian Open që nga viti 2009, mirëpo ai vjen në turneun e këtij sezoni si tenisti numër një i botës.
Përderisa ai s’e pati të lehtë ta fitonte setin e dytë të ndeshjes kundër Delbonisit, spanjolli pati mundësi ta përfundonte ndeshjen edhe më parë, pasi që i shfrytëzoi vetëm tre nga 20 “break points”.
Gjatë ndeshjes, Nadali e puthi një vajzë në faqe dhe ia dha asaj mbajtësen e tij të flokëve, pasi e goditi aksidentalisht me top.
“Isha shumë i frikësuar për të – topi ishte shumë i shpejtë dhe shkoi drejt e te ajo. Ajo është një vajzë super e guximshme”, tha Nadal.