Nadali kalon tutje, Pliskova te femrat eliminohet nga “Australian Open”

Prishtinë | 25 Jan 2020 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Rafael Nadal e ka vazhduar dominimin në garën “Australian Open”.

Spanjolli të shtunën fitoi 3:0 në sete ndaj bashkëkombësit të tij, Pablo Carreno Busta, 6:1, 6:2 dhe 6:4, për të kaluar në rrethin e katërt të garës.

Bartësi i garës, Nadal, nuk ka humbur nga një spanjoll që prej vitit 2016 dhe që nga disfata prej Fernando Verdascos, ka fituar në 18 meçet e tjera, transmeton KTV.

Nadali e synon marrjen e trofeut që do të ishte hera e 20-të në Grand Slame, teksa takimin e fundit e mbylli për një orë e 38 minuta.

Me shumë vështirësi, pas pesë seteve, ka fituar tenisti karizmatik Nick Kyrgios, kundër Karen Khachanov, 6:2, 7:6, 6:7, 6:7 dhe 7:6.

Rusi Khachanov, edhe pse u mundua katër orë e 26 minuta në këtë duel, nuk arriti t’i bënte ballë në fund australianit 24-vjeçar, Kyrgios, dhe në çerekfinale do të luajë kundër Rafael Nadalit.

Fitore realizoi edhe Daniil Medvedev ndaj Alexei Popyrin, 6:4, 6:3 dhe 6:2, e në rundin tjetër do të takohet me zviceranin Stan Wawrinka, që triumfoi ndaj amerikanit John Isner i cili u dëmtua.

Gjermani Alexander Zverev, e mposhti veteranin spanjoll, Fernando Verdasco, 6:2, 6:2 dhe 6:4.

Tutje kaloi edhe Dominic Thiem i Austrisë pas fitores ndaj Taylor Fritz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Thiem triumfoi 6:2, 6:4, 6:7 dhe 6:4.

Thiem që ishte finalist i “French Open”, e fitoi duelin për tri orë dhe tani në rundin e katërt takohet me francezin Gael Monfils.

Pavlyuchenkova me rezultat identik 7:6, 7:6, fitoi për herë të parë në shtatë tentime kundër numrit dy të botës, Karolina Pliskova.

Rusja triumfoi kundër çekes, që i bashkohet Naomi Osakas dhe Serena Williams në listën e të larguarave nga gara.

Në meçin e radhës, përballë do ta ketë Angelique Kerber, që fitoi ndaj Camila Giorgi, 6:2, 6:7 dhe 6:3.

Simona Halep ishte shumë e fortë kundër tenistes nga Kazakistani, Yulia Putintseva, në takimin e parë ndonjëherë. Halepi fitoi me shifrat 6:1 dhe 6:4.

Dy herë kampionia e Grand Slameve do të luajë kundër belges, Elise Mertens.

Ndërkohë, ish-numri një i botës, Garbine Muguruza, fitoi për 68 minuta ndaj Elina Svitolinas së Ukrainës, 6:1 dhe 6:2.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme