Në mbledhjen e kuvendit të Shoqatës së ndërmarrjeve që merren me qarkullimin e naftës, derivateve të naftës, gazrave dhe lubrifikatëve (ShQNGL) unanimisht u përkrah udhëzimi administrativ i propozuar nga Qeveria e Kosovës për instalimin e softuerëve të rinj për kontrollimin e cilësisë së naftës dhe rifiskalizimit, por me një kusht që barrën e kostos së saj ta marr Qeveria e Kosovës.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se një takim i tillë përçon mesazhe të shumta që do të thotë se komuniteti i biznesit është për transparencë dhe për dialogun publiko privat, raporton Ekonomia Online.
“Në këtë drejtim do të përfitojë buxheti i Kosovës dhe kjo duhet të jetë me një kusht që koston e kësaj ta marr përsipër qeveria. Rekomandoj që të dalim me një votim unanim me kusht që barrën e kostos ta marr qeveria, sepse jemi dëshmitarë që me të vërtet kemi paguar mjaftë”, ka thënë Gërxhaliu.
Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Brerisha, duke inkurajuar naftëtarët si kontribuuesit më të mëdhenj të buxhetit të Kosovës, ka thënë se nuk kanë për qëllim që t’u qesin pengesa bizneseve por që ta zbatojnë udhëzimin administrativ.
“Ju e dini se në fillim të shkurtit MTI-ja ka bërë kontrollimin e cilësisë në pika doganore. Të gjitha importet do të kontrollohen në hyrje apo në pika doganore dhe kërkoj nga ju që së bashku ta zbatojmë këtë udhëzim administrativ”, ka thënë Berisha.
“Nuk është qëllimi jonë që të qesim pengesa, por që ta zbatojmë drejt këtë udhëzim. Nëse keni nevojë që deri më 23 prill të ulemi ta diskutojmë bashkë dhe është shumë e rëndësishme kjo edhe për ambientin dhe shëndetin e qytetarëve dhe jemi të fokusuar për një zbatim të drejtë të tij. Kërkohet që 3 për qind në baza ditore të merren mostra. Do të ketë pajisje të reja të cilat e përcaktojnë qartë kompromitetin”, tha ai.
“Analizat do të bëhet sipas sistemit dhe nuk do të jetë faktori njeri, por sistemet e riskut do ta përcaktojnë se kujt do t’i merren mostrat dhe jemi të gjithë të përkushtuar ta zbatojmë këtë, por së bashku me ju që jeni industria më e fuqishme, ku paguani mbi 300 milionë taksa në vit. Kanë mbetur edhe 12 ditë që të fillojë zbatimi”, theksoi Berisha.
Kryetari i ShQNGL-së, Fadil Bejrani, tha se këto dy vite kontrollimi i cilësisë së naftës nuk është bërë as për 2 për qind, ndërsa si kërkesë të naftëtarëve ai parashtroi kërkesën që ligji për naftën të shkojë sa më parë në Kuvend.
“Rifiskalizimin ne do ta përkrahim, por është edhe propozimi i ri që instalimin do ta bëjë qeveria e që juve naftëtarëve nuk do t’u kushtojë asgjë. Mendoj që këto dy vjet nuk është kontrolluar cilësia e naftës as për 2 për qind”, theksoi ai.
Me herët naftëtarët nuk e kanë përkrahur një udhëzim të tillë, sepse ata nuk kanë dashur që barra e kostos së këtyre ndryshimeve të bije mbi ta.
Ditë më parë ministri i Financave, Avdullah Hoti, i ka siguruar naftëtarët që barrën e kostos do ta marr qeveria.