Nagavci: Anëtari në KQZ i takon VV-së, s’jemi kundër rezolutave që në përmbajtje kanë gjenocidin

Prishtinë | 08 Pri 2026 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Grupit Parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendi i Kosovës, deklaroi se subjekti që ajo përfaqëson është i gatshëm të mbështesë një rezolutë për gjenocidin, por theksoi nevojën që përmbajtja e saj të dakordohet ndërmjet të gjitha grupeve parlamentare, në mënyrë që të reflektojë unitet të gjerë politik dhe institucional, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se LVV nuk ka kundërshtime me rezoluta që në përmbajtje kanë gjenocidin.

“Ne jemi të gatshëm edhe unë kam kërkuar si shefe e grupit parlamentar, qysh në javën e kaluar, menjëherë në seancën e parë kur ishte temë e ditës, por edhe në seancën vijuese, kam kërkuar nga PDK-ja që të ftojnë grupin punues që të dakordohemi me përmbajtjen e kësaj rezolute. Sot u njoftuam që janë të interesuar që ta fusin në rend të ditës, ne sot kemi dhënë propozimet tona për dy deputetë që do të japim për grupin e tyre, edhe kërkojmë që të kemi një rezolutë të dakorduar në mes të gjitha grupeve. Nuk kemi asnjë problem me një rezolutë e cila do të adresonte gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, nuk kemi asnjë problem me një rezolutë e cila do të siguronte gjithsesi, të krijonte të gjitha parakushtet për trajtimin në mënyrën më të drejtë të mundshme në aspektin institucional të të gjitha masakrave. Besojmë që tashmë madje jemi ndoshta vonë për ta adresuar një çështje të tillë, por nuk jemi të interesuar e as të gatshëm që temat të cilat janë me interes shtetëror, kombëtar, dhe që duhet të paraqesin unitetin e të gjithë neve të trajtohen si tema parciale e individuale”, tha ajo.

Ajo sa i përket anëtarit te KQZ thotë se e drejta i takon LVV-së.

“Anëtarit të paemëruar tashmë nga presidentja Osmani, është e drejtë që i takon Lëvizjes Vetëvendosje bazuar në gjithë legjislacionin në fuqi, bazuar në rezultatin zgjedhor dhe forcave proporcionale të partive në Kuvend. Pra, përbërja e KQZ-së përfaqëson vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje të lira, dhe ne presim që ushtruesja e detyrës së presidentes, gjegjësisht zonja Haxhiu, sa më parë ta emërojë anëtarin e radhës në KQZ, që duhet të jetë propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje. Dhe unë besoj që zonja Haxhiu do ta bëjë shumë shpejt këtë. Nëse jo, natyrisht si lëvizje na duhet ta adresojmë edhe këtë”, tha ajo.

Nagavci theksoi se kryeministri Albin Kurti po bën gjithçka që është në kompetencë të tij për t’i shmangur zgjedhjet.

“Kryeministri Kurti ka pasur takim me kryetarin e LDK-së, besoj që ai është duke vazhduar angazhimin maksimal të tij si kryetar i VV-së. Besoj që gjatë gjithë këtyre ditëve do të intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjedhje, dhe presidenti të votohet brenda afatit që ka caktuar Kushtetuesja, jemi të bindur që vendit i duhet një president i zgjedhur në kuvend, zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër, janë të panevojshme”, deklaroi Nagavci.

“Kryeministri Kurti është duke bërë gjithçka është në mandatin e tij dhe jam e bindur që të do të trajtojë në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme, shmangien e zgjedhjeve të reja”.

Të ngjashme