Procesi mësimor ka filluar në të gjitha shkollat më 10 janar dhe po vazhdon sipas planifikimit të udhëzuesit për zhvillimin e mësimit gjatë kushteve të pandemisë, kështu ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, ministrja e Arsimit Arbërie Ngavaci.
Tutje, ajo tha se mbi 95 për qind e më shumë se kaq e shkollave janë duke zhvilluar mësimin me prani të plotë fizike të nxënësve.
“Periudha e vitit shkollor 2021-2022 ka filluar me 10 janar po vazhdon sipas planifikimit duke qenë se udhëzuesi për zhvillimin e mësimit gjatë kushteve të pandemisë është në fuqi dhe përcakton dhe mundëson përpos mësimit me prezencë të plotë fizike edhe skenarët alternativë që janë mësimit nga distanca apo me klasa të përgjysmuara. Po vendoset varësisht prej situatës epidemiologjike prej rastit në rast”, u shpreh ajo.
“Mbi 95 për qind e shkollave janë duke zhvilluar mësimin me prani të plotë fizike të nxënësve. Janë dy shkolla “Ismail Qemaili” dhe “Yll Morina”, të cilat kanë kaluar për një javë në mësimin nga distanca për shkak të numrit të rritjes së rasteve sa i përket Covid-19. Situata në shkolla është duke u menaxhuar mirë nga shkollat”, tha Ngavaci.