Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka marr pjesë në inaugurimin e një klase të rregulluar për parafillorët në shkollën “Nazim Gafurri”, raporton Ekonomia Online.
Nagavci ka njoftuar se përmes një bashkëpunimi me Caritasin janë trajnuar 700 edukatorë në vend në mënyrë që fëmijëve tu ofrohet edukim i hershëm sipas standardeve ndërkombëtare.
“Jemi bashkë me drejtorin e Caritasit dhe drejtoreshën e Arsimit në Prishtinë këtu në shkollën ‘Nazim Gafurri’ për të inauguruar një nga klasat për edukimin e hershëm ku janë pajisur me inventar për këto klasa dhe me lodra për fëmijë që janë të përshtatshme për moshën e tyre”.
“Bashkëpunimi me Caritasin ka mundësuar trajnimin e më shumë se 700 edukatorëve me shkollat e Kosovës dhe me anë të bashkëpunimit më Institutin pedagogjik të Kosovës, drejtoritë komunale dhe Fakultetin e Edukimit po punohet afër që tu ofrohen shkathtësi dhe kompetenca të nevojshme edukatorëve që tu zhvillojmë edukimin e hershëm për fëmijë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe krijimin e hapësirave për fëmijë”, është shprehur ajo.
Poashtu Nagavci ka theksuar se prioritet i kësaj Qeverie është rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.
“Për Qeverinë tonë nga prioritetet është rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm, ndërtimi i çerdheve të reja dhe krijimi i ambienteve të përshtatshme për të mundësuar edukimin e hershëm të fëmijëve në kushte sa më cilësore. Shpreh përkushtimin që si ministri brenda mandatit tonë të ndryshohet përfshirja e fëmijëve në edukimin e hershëm”.
Kurse drejtori i Caritas-it Zviceran Gerhard Schaumberger në Kosovë, tha se është i lumtur për këtë bashkëpunim dhe se vlerëson përkushtimin e Qeverisë për edukimin e hershëm.
“Moto e kësaj ngjarje është ‘Vnoma Veshin’ që në vërtetë edukimi i hershëm të ketë vëmendjen e merituar pasi ky e edukimin ka një ndikim të madh më jetën e një individi”, u shpreh ai.
Ndërsa Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala njoftoi se nga ky bashkëpunim, kryeqyteti ka përfituar që 15 shkolla të pajisen me klasa për parafillorët si dhe që janë trajnuar 100 edukatorë.
“Komuna e Prishtinës ka qenë përfituese që 15 shkolla të bëhen me klasë për parafillorë dhe gjithashtu janë trajnuar dhe do të trajnohen në tërësi 100 mësimdhënës edukatorë të cilët përmes lodrave do të arrijmë rezultatet e përcaktuara nga Republika e Kosovës”.