Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci në konferencën për media ka thënë se kandidati i tyre për President, pra Glauk Konjufca edhe si kryetar i Kuvendit që ishte ka qenë figurë unifikuese, raporton Ekonomia Online.
“Siç e dini, deri më tani nuk kemi arritur të kemi një kandidat konsensual për president. Në mungesë të një kandidati konsensual, rruga tjetër ka qenë që secili subjekt politik të propozojë nga një kandidat, në përmbushje edhe të obligimit kushtetues. Si LVV kemi deklaruar mbështetjen tonë për Glauk Konjufca, figurë që gëzon mbështetje të plotë qytetare, por edhe mbështetje të madhe nga grupi parlamentar i LVV-së. Ai është kandidati që gëzon mbështetjen më të madhe për të siguruar votat në Kuvend. Konjufca, siç e dini, edhe si kryetar i Kuvendit ka qenë autoritet unifikues i unitetit politik. Ne kemi kandidatin tonë dhe presim nga subjektet tjera, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të paraqesin kandidaturat e tyre, në mënyrë që të përmbushet kriteri kushtetues për të paktën dy kandidatë që do të garojnë për pozitën e presidentit”, tha ajo në konferencën për media.
Ajo po ashtu tha se secili subjekt politik duhet të marrë përgjegjësinë që të ofrojë kandidaturën për president për dy arsye.
“Secili subjekt duhet të marrë përgjegjësinë që të ofrojë kandidaturën për dy arsye: për përmbushjen e kriterit kushtetues dhe për të mundësuar një garë të mirëfilltë; dhe e dyta, për të shmangur zgjedhjet e reja, të cilat evitohen nëse ka kandidat të dytë”, tha ajo.
