Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë që kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti do ta shqyrtojë dhe do t’i përgjigjet ftesës së përfaqësuesve të anëtarëve të një spektri të gjerë të gjerë të shqiptarëve në Amerikë për një takim interaktiv të përbashkët virtual me liderët e shtetit dhe partive parlamentare të Kosovës, në prag të takimit të 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.
“Jam e sigurt që Kurti do ta shqyrtojë me shumë vëmendje dhe do të përgjigjet shumë shpejt”, ka thënë Nagavci në Info Magazine në Klan Kosova.
“Roli i tyre është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe duhet të ekzistojë një bashkëpunim dhe mobilizim i madh. Kjo për faktin se lobi serb, është i angazhuar për të mbrojtur interesat e tyre dhe ka adresuar çështje që nuk janë të vërteta në aspektin historik”.
“Nga ana jonë, për fat të keq kemi parë, presidentin Thaçi i cili ka shpenzuar të holla të taksapaguesve, për të shtyrë përpara agjendat e tij, siç ishin shkëmbimi i territoreve”.
Nagavci ka thënë që në situatën që jemi, sipas saj, është e rëndësishme që të kemi një mobilizim të plotë të lobit tonë atje dhe një bashkëbisedim e jep mundësinë që të diskutohet më shumë.