Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se oferta e fundit që i kanë bërë LDK-së është përpjekja e tyre e vazhduar për ta arritur marrëveshjen.
Duke mos dhënë shumë detaje për përmbajtjen e kësaj oferte, ajo tha se nuk do t’i shkelin asnjëherë parimet, njofton Klan Kosova.
“Në kuadër të angazhimeve dhe përpjekjeve të Vetëvendosjes që sa më shpejt të gjejmë një zgjidhje për të arritur marrëveshje, nga grupi punues i Vetëvendosjes sot i është dërguar edhe një ofertë LDK-së me shpresën që gjithë vullneti i qytetarëve të jetësohet me një qeverisje VV-LDK”.
“Vetëvendosje në vazhdimësi ka dhënë propozime për LDK-në për të arritur te zgjidhja më e mirë. Kryesia e Vetëvendosjes ka autorizuar grupin punues që do të negociojë me grupin punues të LDK-së. Nuk mund t’i di detajet e propozimeve të reja, por konfirmoj se sikur propozimet e kaluara, Vetëvendosje ka bërë mjaft koncesione dhe ka paraqitur gatishmëri për të arritur në krijimin e institucioneve duke e bërë të qartë që në secilën ecje përpara nuk ka kthim prapa”.
“Është një moment i rëndësishëm që ne të gjejmë gatishmëri për ta jetësuar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i përmbushur premtimet elektorale që VV do të qeverisë me LDK-në – dhe anasjelltas”.
“Ne i kemi marrë të gjithë hapat që të arrijmë në këtë pikë dhe shpresoj që edhe LDK-ja të ketë të njëjtin qëllim dhe se e kanë lexuar drejt vullnetin e qytetarëve. Nuk bëhet fjalë këtu për të joshur njëri-tjetrin, por për t’i gjetur pikat që na bashkojnë që sa më shpejt t’i formojmë institucionet”.
Nagavci në një deklaratë për Klan Kosovën tha se LDK-ja tani e ka momentin të vendosë se a dëshiron të qeverisë me Vetëvendosjen.
“Lëvizja është bazuar në vazhdimësi nga parimet, harmonizimet dhe programet qeverisës në ndarjen e përgjegjësive dhe në udhëheqjen e resurseve të caktuara me njerëz kompetentë dhe profesionistë. Tashmë e kemi bërë të qartë se cilët janë personat tanë të preferuar për t’i drejtuar dikasteret e caktuara dhe është momenti që edhe LDK-ja të tregojë se a dëshiron të qeverisë me Vetëvendosjen. Propozimet tona kanë qenë të vazhdueshme, por duhet që edhe LDK të tregojë si e sheh ecjen përpara”.
Nagavci tha se është e pakuptueshme pse duhet të diskutohet edhe më tej posti i kryeparlamentarit pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës.
“Përkundër që zgjedhjet kanë qenë parlamentare ne kemi pasë kompromisin me LDK-në dhe kemi qenë të gatshëm që të gjejmë një formulim kushtetues që lë hapësirë për të përcaktuar saktë se si do të jetë bashkëpunimi edhe në rastin e presidentit. Ky ka qenë një koncesion që ne e kemi bërë tashmë”.
“Sa i përket kryeparlamentarit dhe zgjedhjes së Glauk Konjufcës, nuk është më vetëm dëshirë e jona por edhe e 75 deputetëve të Kosovës dhe ne besojmë që është personi i duhur në vendin e duhur. Pra, nuk ka as arsye e as nevojë që të insistohet në kthim prapa. Nuk ka asnjë qëllim të mirë dhe as argumente për këtë”.
A i ka shtuar edhe dy ministri Vetëvendosje në ofertën e fundit dërguar LDK-së?
“Lëvizja në kuadër të parimeve dhe principeve për një mirëqeverisje nuk do të shkelë asnjë prej tyre për të cilat jemi pajtuar tashmë dhe numri i ministrive do të jetë dukshëm më i vogël se në qeverisjet e kaluara”.