Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se mësimi për klasat 1-5 ka filluar në të gjitha shkollat me përjashtim të fshatit Bushat në Mitrovicë, raporton Ekonomia Online.
Ajo po ashtu ka thënë se edhe mësimi online po vazhdon të mbahet.
Ministrja Nagavci, po ashtu bëri të ditur se, është bërë dezinfektimi i shkollave sipas kërkesës e cila është parashtruar në mbledhjen e mbajtur më 7 prill me drejtorët e DKA-ve, ndërsa shtoi se MAShTI ka marrë të gjitha masat që të ofrojë qasje në mësimin online për të gjithë nxënësit, përfshirë prezantimin e njësive mësimore përmes televizionit publik.
“Sot kam filluar periudha e tretë dhe në bazë të vendimit për masat kundër pandemisë mësimi për disa nivele po organizohet me pjesëmarrje fizike të nxënësve në nivelin e çerdheve klasat 1 deri në 5. Sipas informatave që i kemi në ditën e sotme mësimi ka filluar në të gjitha shkollat me përjashtim të fshatit Bushat në Mitrovicë, që do të vazhdojë nesër. Mësimi online po zhvillohet në të gjitha shkollat. Komunat kanë raportuar se është kryer pjesa e dezinfektimit në të gjitha shkollat”.
Ajo tha se për vazhdimin e mësimit online do të varet nga situata me pandeminë.Nagavci ka ftuar të gjithë akterët e përfshirë në procesin mësimor që të angazhohen maksimalisht, në mënyrë që krahas ruajtjes së shëndetit publik të kujdesemi që fëmijët tanë të kenë sa më pak pasoja në mësimnxenie, nga situata e krijuar për shkak të pandemisë COVID-19.
“Sa i përket pajisjeve teknologjike MASh ju ofrojë të gjithë nxënësve qasje në mësimin online, ne do të përcjellim se si po shkon situata me pandeminë dhe për javën e ardhshme sot merret ndonjë vendim. Përderisa mësimi sipas rekomandimeve po shkon pa pengesa unë ju bëjë thirrje të gjitha palëve të përfshira në këtë proces që të angazhohen bashkërisht që mos të lëmë prapa asnjë fëmijë në mësim”, tha Nagavci.
Ndryshe, mësimi me prezencë fizike ka filluar për nivelin parashkollor dhe klasat 1-5, ndërsa klasat 6-9 dhe 10-12 këtë javë do të zhvillojnë procesin mësimor online. Ndërsa, gjatë kësaj jave do të shqyrtohet situata pandemike me të gjithë akterët, në mënyrë që të merret vendim lidhur me mënyrën se si do të vazhdohet procesi mësimor nga java e ardhshme.