Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se paga e mësimdhënësit në Kosovë është e përafërt me ata të rajonit, më e madhe se në Maqedoni të Veriut, e më e vogël se në Shqipëri, raporton Ekonomia Online.
Këto komente i ka dhënë në Kongresin e 8-të të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).
Krahas pagës që sipas saj marrin mësimdhënësit, ajo ka premtuar se po punojnë në Ligjin e Pagave, për të cilën tha se do t’i eliminojë të gjitha pabarazitë që reflektuan nga ligji i kaluar, i cili u shpall anti-kushtetues.
Duke folur për punën e mësimdhënësit, e para e arsimit ka thënë se ata kanë bërë që të fitohet çdo luftë, duke filluar nga lufta kundër analfabetizmit e deri te lufta për liri.
“Nuk kemi si të mos flasim për mësimdhënësit dhe të mos i kthehemi historisë sepse mësimdhënësit tanë historikisht i kanë bërë ndryshimet dhe kanë bërë përpjekjet më serioze për të ndryshuar dhe zhvilluar shoqërinë. Ata kanë bërë që të fitohet çdo luftë, duke filluar nga lufta kundër analfabetizmit e deri te lufta për liri dhe ndryshe nga mësimdhënësit nga vendet e tjera, ata shqiptarë janë përballur me sfida të vazhdueshme shekullore dhe i kanë kaluar me sukses të gjitha këto sfida. Këtë e dëshmuan edhe në këto dy vitet duke luftuar pandeminë”, tha Nagavci.
“Duke pasur parasysh ndikimin e mësuesit jemi të vetëdijshëm se duke investuar në mësimdhënësit tanë, ne investojmë edhe në fëmijët tanë njëkohësisht, sepse janë mësimdhënësit janë më meritorët për suksesin e fëmijëve. Analizat dhe studimet e tregojnë se në shumë aspekte të zhvillimit gjithëpërfshirës në sistem, Kosova qëndron më mirë se disa vende të rajonit”.
“Ndërsa paga e mësimdhënësit në Kosovë është e përafërt me ata të rajonit, më e madhe se në Maqedoni të Veriut, ndonëse pak më e vogël se në Shqipëri. Megjithatë ju siguroj se si Ministri e Arsimit edhe në grupin punues që është duke punuar në Ligjin e Pagave, jemi duke i adresuar të gjitha padrejtësitë që ishin në Ligjin e kaluar duke u munduar që të zhduken pabarazitë që reflektojë ligji i kaluar ndërmjet mësuesve klasor dhe atyre të niveleve tjera por edhe të kategorive tjera”, tha ajo.