Nagavci: Raporti për mësuesen përpilohet sot, veprime të tilla nuk tolerohen

Prishtinë | 07 Shk 2017 | 16:30 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci ka deklaruar për Ekonomia Online se publikimi i fotografisë së nxënësve në facebook, nga mësuesja Lindita Ilazi-Fazliu në shkollën “Emin Duraku”, është i patolerueshëm dhe se nuk guxon të ndodhë në shkollat e vendit.

Nagavci thotë se me të kuptuar lajmin ka bërë kërkesë zyrtare në Ministrinë e Arsimit, saktësisht në sektorin e inspektorëve që të bëjnë vizitë në atë shkollë, duke shtuar se edhe nga Drejtoria Komunale e Arsimit janë dërguar dy zyrtarë që të njoftohen më detajisht se për çka bëhet fjalë.

Sipas saj në fund të ditës së sotme do të përcillet edhe raporti me shkrim për mësuesin Lindita Ilazi-Fazliu.

“Sot deri në fund të ditës do të më përcjellin raportin me shkrim dhe po ashtu kam kërkuar edhe nga drejtori i shkollës që të na përcjellë një raport në lidhje me rastin. Menjëherë pas pranimit të këtyre raporteve ne do ta adresojmë tutje por gjithsesi se duhet të përmendi që për ne dhuna është e papranueshme dhe e patolerueshme dhe personat që përdorin çfarë do lloj të dhunës mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”.

E pyetur se a ka pasur më herët ankesa nga prindërit për këtë mësuese, Nagavci ka theksuar se kjo nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani.

Ajo thotë se si duket fotografia është publikuar nga njëri prej prindërve të nxënësve.

“Sipas njoftimeve që i kemi nga shkolla bëhet fjalë për një grup të mbyllur që e kanë bërë me marrëveshje prindërit bashkë me mësuesen dhe ata në atë grup të mbyllur janë pajtua që të shpërndajnë informata në lidhje me të nxënit e nxënësve. Por duket se njëri nga prindërit ka postuar pastaj dhe e ka bërë publike se fotografia e parë ka qenë për prindërit dhe për mësuesen që prapë për mendimin tim nuk do të duhej të ndodhte një gjë e tillë. Sigurisht që mësuesja shqetësimet duhet t’i ndajë me prindërit e një fëmije në një formë duke adresuar në aspekt të përmirësimit e jo të një fyerje të tillë apo të një situate jo të këndshme qoftë për fëmijët qoftë për prindërit”.

Nagavci ka paralajmëruar se nëse këto të gjitha qëndrojnë atëherë do të formohet një komision që do ta trajtojë të gjithë rastin.

“Në qoftë se qëndrojnë se janë si të tilla sigurisht se do të formohet një Komision profesional i cili do ta trajtojë gjithë rastin në mënyrë profesionale dhe ti merr vendimet konform legjislacionit në fuqi”.

Lidhur me rastin e publikimit të fotografisë së nxënësve në Facebook nga mësimdhënësja, ka reaguar edhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila konsideron se publikimi i të dhënave (fotografike), pa pëlqimin paraprak të subjektit të fotografuar, përbën shkelje të privatësisë së individ dhe si e tillë është i dënueshëm me ligj.

Kjo agjenci ka bërë të ditur se në rastet kur pretendohet se e drejta për mbrojtjen e të dhënave personale është shkelur, qytetarët mund të paraqesin ankesë në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ekonomia Online për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Arsimit, mirëpo ata nuk kanë dashur të prononcohen për këtë.

Të ngjashme