Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka reaguar pas protestës nga disa nxënës që sot kanë marshuar në Prishtinë me kërkesë për rritje të cilësisë në arsim dhe për kthim të vëmendjes së institucioneve në këtë sektor.
Nagavci ka numëruar disa nga vendimet të cilat ka marr Ministria në të mirën e nxënësve, teksa është shprehur se i gëzohet aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët.
Postimi i plotë:
I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët.
Të dashur nxënës, mësimdhënës, prindër e qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit!
Prandaj, angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.
Për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor.
Po ndajmë me juve disa nga vendimet dhe punët konkrete tona, që janë edhe në linjë me hulumtimin e prezantuar nga studentët:
• Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022;
• Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike;
• Themelimi i pesë Qendra të Karrierës; tre të tjera janë në proces;
• Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit);
• Ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë;
• Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh;
• Mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional;
• Rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla;
• Bashkëpunimi me të gjitha palët për shtimin e sigurisë në shkolla dhe krijimin e mjedist miqësor për të gjithë nxënësit;
• Ofrimi i mbështetjes për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijë me talente të veçanta, me fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe me qendrat mësimore për fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian;
• Vërja në fokus ndaj rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare, në mënyrë që të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënia në shkolla;
• Ndarja e mbi 3000 bursa për të rejat e të rinjtë tanë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit;
• Nëshkrimi i marrëveshjeve me BE dhe anëtarësimi në HORIZON;
• Nënshkruami i programit ,,Fulbright” me Ambasadën Amerikane për hulumtime akademike;
• Ndarja e 30 mijë euro për projekte shkencore;
• 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta;
• 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara;
• Funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Shkencës;
• Rifunksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Po përmirësojmë infrastrukturën fizike e ligjore. Rezultatet në arsim duhet dhe do të përmirësohen. Si ministre e pranoj seriozisht çdo shqetësim të nxënësve për cilësinë në arsim, për vendimet e tanishme të MASHTI-t, por edhe për simptomat që përjetojmë tani e që kanë burim një kohë e situatë tjetër.
MASHTI veçse ka dëshmuar, me një numër të madh takimesh e marrëveshjesh bashkëpunimi të nënshkruara, që është i hapur për bashkëbisedim e bashkëpunim me të gjitha palët me interes për ndërmarrjen e hapave konkret për përmirësimin e gjendjes në arsim.
Të ardhmen e sigurojmë me angazhim të përbashkët, me dije dhe arsim.