Nagavci: Subvencionimi i drejtpërdrejtë e shmang praktikën e kontratave njëburimore

Prishtinë | 04 Pri 2024 | 12:56 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit MAShTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se akuzat nga opozita lidhur me subvencionimin për blerjen e librave, janë të pavërtetë dhe se sipas saj nuk ka pasur asnjë ankesë lidhur me furnizime me libra, raporton Ekonomia Online.

Nagavci ka thënë se mënyra e subvencionimit të drejtpërdrejtë e shmang mënyrën e praktikave të mëhershme që sipas saj ishin dhënë me kontrata njëburimore.

“Kemi punuar intensivisht që të gjitha këto shkelje të pamundësohen. Dhe po është e vërtetë që ia kemi arritur dhe jam shumë e kënaqur. Po, kemi filluar subvencionimin e drejtpërdrejtë. Kjo mënyrë shmang praktikën e kontratave njëburimore. Ndonëse kërkesa e PDK-së për komision hetimor është e bazuar krejtësisht në të pavërteta dhe pasaktësi, unë personalisht, mezi presim themelimin e këtij komisioni dhe të flasim për këtë temë. Duhet hetuar të gjitha abuzimet për keqpërdorime që kanë ndodhur ndër vite në kohën kur PDK-ja udhëhiqte me Ministrinë e Arsimit. Ne nuk kemi asnjë raport, asnjë kërkesë, asnjë ankesë nga asnjë drejtori e cila thotë se nuk janë furnizuar fëmijët me libra, ose se kanë mungesa”, ka deklaruar Nagavci.

“Më vjen shumë mirë që në Kuvend po diskutohet për tekstet shkollore. Është me rëndësi të diskutojmë për përmbajtjen, për furnizimin me tekste shkollore nga viti 2008. Për 10 vite fëmijët tanë kanë mësuar me tekste që kanë pasur pasaktësi, diskriminim në baza gjinore të cilat kanë nxitur paragjykime. Personave me sindromin Down u referoheshin me terma idiot, e persona që nuk jetojnë më shumë se 10 apo 16 vjet. Libri i Sociologjisë shkruante se Kosova ende qenka nën administrimin e UNMIK-ut. Libri i Edukatës Qytetare autorët e definonin familje si e mangët, për familjet pa njërin prindër. Në librat që kanë mësuar fëmijët tanë në shkollën fillore u është caktuar ta përmendin datën e pavarësisë së Kosovës, përderisa 17 shkurti nuk ka qenë aty. Këto anomali janë denoncuar, por asnjëherë nuk janë trajtuar nga Ministria e Arsimit e as nga qeveritë”, tha ajo.

“Proceset janë përcjellur me shumë dyshime për keqpërdorime. Është raportuar për keqmenaxhim e keqpërdorim të buxhetit ndër vite. Kemi parë fotografi e korridore të mbushur me libra. Brenda një viti të vetëm janë keqpërdorur më shumë se 500 mijë euro. Në 2008-2022 nuk është zhvilluar asnjë analizë, apo vlerësim për procedurat e shpërndarjes së librave”, deklaroi Nagavci.

Të ngjashme