Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka vizituar sot Shkollën fillore të mesme të ulët “Gjon Serreçi” në Ferizaj, Gjimnazin “Bedri Pejani” në Pejë dhe Shkollën e mesme teknike “28 Nëntori” në Prishtinë.
Gjatë këtyre vizitave, ministrja Nagavci është takuar me menaxhmentin e shkollave dhe me mësimdhënës, prej të cilëve është informuar për gjendjen në shkolla, të arriturat dhe sfidat, sidomos gjatë këtij viti shkollor kur po ballafaqohemi me pandeminë COVID-19.
Ministrja Nagavci ka falënderuar personelin arsimor për angazhimin dhe përkushtimin që kanë treguar në punë gjatë këtij viti, në mënyrë që të arrihet niveli i mësimnxënies sa më i mirë i mundshëm. Ajo uroi që arsimi dhe të gjithë sektorët tjerë t’i kthehen sa më shpejt normalitetit dhe e gjithë energjia të koncentrohet në zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet.
Në këtë drejtim, Ministrja ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë akterëve, për të arritur rezultate në arsimin parauniversitar, duke i kushtuar vëmendjen e duhur realizimit të politikave arsimore që mundësojnë ofrimin e një arsimi cilësor për fëmijët dhe të rinjtë tanë.
Ministrja Nagavci theksoi se arsimi fillor dhe i mesëm i ulët, gjimnazet, e në veçanti arsimi dhe aftësimi profesional si një mundësi e mirë për punësim dhe zhvillim ekonomik, do të jenë në fokus të punës së qeverisjes së re dhe do të punohet me intenzitet të shtuar.
Po ashtu, ministrja Nagavci i ka uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për përfundimin e periudhës së dytë të këtij viti shkollor, ndërsa ka kërkuar nga menaxhmenti i shkollave që ta shfrytëzojnë këtë kohë të pushimit njëjavor për të dezinfektuar ambientet shkollore.