Nait Hasani: Në këtë ligj nuk duhet të ketë parti, duhet të ketë ndërgjegje kombëtare

Prishtinë | 05 Tet 2026 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë kryer detyrën e tyre me votimin në lexim të parë të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa ka shprehur besimin se ky proces do të përfundojë edhe me votimin në lexim të dytë.

Hasani ka thënë se beson në ndërgjegjen e deputetëve dhe në vlerat e qytetarëve që ata përfaqësojnë, duke përmendur edhe protestat e zhvilluara për rreth 20 ditë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

“Mendoj që deputetët e kanë kryer detyrën e vet në lexim të parë dhe unë dua me besuar në ndërgjegjen e tyre, në vlerat e qytetarëve të Kosovës që ata përfaqësojnë, në angazhimet e këtyre protestave që janë bërë për 20 ditë, në ‘Jo në emrin tim’, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, djemve tanë, vëllezërve tanë, miqve tanë që kanë dalë dhe kanë protestuar kundër padrejtësisë që është bërë ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin në Hagë atje”, ka deklaruar Hasani.

Ai ka thënë se shpreson që deputetët do ta shtyjnë përpara procesin e miratimit të ligjit edhe në lexim të dytë, duke e konsideruar atë të rëndësishëm për mbrojtjen e vlerave të shtetit të Kosovës.

“Kështu që, edhe po dua me besuar e me shpresuar që ai motivi që ta shtyjnë këtë proces të ligjit edhe në lexim të dytë, do t’i japin mundësi mbrojtjes së vlerave tona, të shtetit tonë, i cili është krijuar me mundin, gjakun, sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur deputeti i PDK-së.

I pyetur nëse ky është momenti i duhur që shqiptarët të bëhen bashkë për këtë ligj, duke pasur parasysh se UÇK-ja ka qenë e përbashkët, Hasani ka thënë se në këtë çështje nuk duhet të ketë ndarje partiake.

“Po, këtu në këtë ligj nuk duhet me pasë parti. Duhet të ketë një ndërgjegje kombëtare dhe si shqiptarë duhet ta votojnë e t’i japin mundësi mbrojtjes së vlerave tona. Me shpresën që do të bëhen ndryshimet në Apel ose në Supreme, që ta arrijmë qëllimin që shtetin tonë ta mbrojmë, sepse duke mbrojtur, duke miratuar këtë ligj, mbrojmë shtetin tonë, mbrojmë vlerat tona të krijuara me mund, gjak, sakrificë, pavarësinë e shtetit tonë”, tha ai.

Të ngjashme