Drita e Gjilanit të shtunën është vendosur në Durrës, ku do të përgatitet për ndeshjen e ardhshme evropiane. Kampionia e Kosovës në futboll të enjten nga ora 20:30 luan në Varshavë të Polonisë ndaj Legias, në kuadër të rundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Për në Poloni, delegacioni i Dritës udhëton të mërkurën nga Tirana.
Legia vlerësohet favorite e madhe ndaj Dritës, por gjilanasit shpresojnë në një tjetër sukses. Nëse mesfushori 25-vjeçar, Hamdi Namani, shfaq formën që ka treguar në dy ndeshjet e kaluara evropiane, atëherë gjasat e Dritës do të jenë më të mëdha.
Namani, që te Drita kaloi nga Llapi një vit më parë, ka qenë vendimtar në ndeshjet evropiane të gjilanasve.
Në gjysmëfinale të rundit paraeliminator të Ligës së Kampionëve, ai shënoi golin e fitores (2:1) ndaj Inter Club d’Escalades së Andorrës. Drita më pas e humbi me rezultat zyrtar finalen e rundit paraeliminator, nga Linfieldi i Irlandës së Veriut.
Garimin kampionia e Kosovës, e vazhdoi në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës. Të enjten fitoi 2:0 ndaj Sileksit maqedonas në Shkup. Namani e siguroi penalltinë të cilën e konkretizoi Fidan Gërbeshi për 1:0, ndërsa asistoi për Ardian Limanin që shënoi për 2:0.
Tani Drita do të ketë punë me Legian, kampionen në fuqi të Polonisë.
“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në garat evropiane. Jemi duke shkruar histori dhe jam shumë i lumtur për këtë”, ka thënë Namani.