Narrativat e zyrtarëve serbë për zgjedhjet e 28 dhjetorit

None
Prishtinë | 27 Dhj 2025 | 21:54 | Nga Ekonomia Online

Në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, diskursi politik i zyrtarëve serbë është karakterizuar nga një intensifikim i narrativave që i paraqesin këto zgjedhje si moment vendimtar për fatin e komunitetit serb në Kosovë. Përmes deklaratave publike të Petar Petkoviqit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zgjedhjet janë ndërtuar si një betejë ekzistenciale, ku në qendër vendoset mbijetesa politike, institucionale dhe demografike e serbëve.

Në këtë kornizë, Lista Serbe paraqitet si e vetmja përfaqësuese legjitime dhe si mekanizmi kryesor i mbrojtjes kolektive, ndërsa institucionet e Kosovës portretizohen si burim presioni, rreziku dhe kërcënimi të vazhdueshëm. Këto narrativa, të ndërtuara përmes gjuhës së frikës, mobilizimit dhe viktimizimit, krijojnë klimë emocionale që e zhvendos debatin nga konkurrenca politike drejt një diskursi mbijetese dhe përballjeje etnike.

Narrativat e Petar Petkoviqit: zgjedhjet si moment vendimtar për “mbijetesën” e serbëve

Në ditët para zgjedhjeve të 28 dhjetorit, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka intensifikuar paraqitjet publike dhe deklaratat mediatike, duke i paraqitur këto zgjedhje si moment kyç për fatin politik dhe ekzistencial të serbëve në Kosovë. Në intervista të dhëna më 26 dhe 27 dhjetor për media të ndryshme serbe, përfshirë “RTS” dhe “Tanjug.rs”, Petkoviq deklaroi se bëhet fjalë për zgjedhje “vendimtare”, në të cilat, sipas tij, “thyhet fati i popullit serb”.

Në diskursin e tij, Lista Serbe paraqitet si e vetmja forcë politike që mund të mbrojë interesat e serbëve, ndërsa çdo alternativë tjetër përshkruhet si e rrezikshme ose e manipuluar nga Prishtina. Petkoviq ka pretenduar se autoritetet kosovare, të udhëhequra nga kryeministri Albin Kurti, po zhvillojnë politikë sistematike presioni, frikësimi dhe “terrori institucional”, duke përmendur militarizimin e veriut, arrestime të serbëve dhe mbylljen e institucioneve serbe. Sipas tij, qëllimi final i këtyre veprimeve është “thyerja e shtyllës kurrizore të popullit serb” dhe eliminimi i Listës Serbe nga skena politike.

Një pjesë e rëndësishme e narrativës së Petkoviqit lidhet edhe me delegjitimimin e alternativave politike serbe. Ai ka akuzuar drejtpërdrejt Nenad Rashiqin dhe subjektet e tjera serbe se janë “projekte të Albin Kurtit”, të cilat, sipas tij, synojnë të krijojnë iluzionin e përfaqësimit multietnik, ndërsa në thelb dëmtojnë interesat e komunitetit serb. Në këtë kontekst, Petkoviq ka theksuar se vetëm fitorja e Listës Serbe e të dhjetë mandateve të garantuara për komunitetin serb, mund të sigurojë përfaqësim të vërtetë politik dhe të ndalë vendimmarrjen, që sipas tij, po bëhet në dëm të serbëve.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje serbëve të zhvendosur në Serbi që të udhëtojnë për të votuar, duke e paraqitur këtë akt si obligim kombëtar dhe moral. Në deklaratat e tij, zgjedhjet përshkruhen jo si proces demokratik i zakonshëm, por si betejë për mbijetesë kolektive, ku pjesëmarrja konsiderohet formë rezistence politike.

Narrativat e Aleksandar Vuçiqit: serbët të votojnë Listën Serbe dhe kritika ndaj Kurtit

Në të njëjtën linjë, por me një ton më institucional, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndërtuar një narrativë që e lidh drejtpërdrejt pjesëmarrjen në zgjedhje me ruajtjen e unitetit kombëtar dhe interesave shtetërore të Serbisë. Më 24 dhjetor, gjatë një konference me ambasadorët serbë, Vuçiq u bëri thirrje serbëve në Kosovë që të votojnë për Listën Serbe, duke e cilësuar atë si “mbrojtësen e vërtetë të interesave kombëtare serbe”.

Ai theksoi se përfaqësimi politik i serbëve kërkon “përpjekje dhe energji të vazhdueshme” dhe se është e domosdoshme që ata të kenë përfaqësues “të vërtetë”, e jo, siç u shpreh, përfaqësues që shërbejnë për politikat e Prishtinës. Në këtë mënyrë, Vuçiq e vendos Listën Serbe si faktor kyç të stabilitetit dhe si garanci për vazhdimësinë e ndikimit politik të Serbisë në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, edhe gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e një objekti të ri të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë në Beograd, më 27 dhjetor, bëri thirrje ndaj popullit serb në Kosovë që të votojnë për Listën Serbe në zgjedhjet e ardhshme. Vuçiq theksoi besimin e tij në unitetin serb, fuqinë e popullit serb në Kosovë dhe fitoren e Listës Serbe, duke i paraqitur kandidatët e kësaj liste si njerëz seriozë dhe të besueshëm, kundër të cilëve nuk ka kritika të ndjeshme. Ai gjithashtu kritikoi Albin Kurtin, duke thënë se ky ka bërë përpjekje përmes “shërbëtorëve serbë” të sigurojë formimin e qeverisë së tij, ndërsa Lista Serbe paraqitet si simbol i forcës dhe unitetit të serbëve në rajon.

Vuçiq gjithashtu nënvizoi respektin për të drejtat demokratike të të gjithë aktorëve politikë për të zhvilluar fushatë brenda ligjit, përfshirë edhe metodën “derë më derë”, të cilën e cilësoi si praktikë normale dhe të pranueshme.

Zyra për Kosovën hap vende të reja pune; Komisariati për Refugjatë dhe Migracion i Serbisë thirrje për të votuar

Paralelisht me këtë diskurs politik, institucionet e Serbisë kanë shoqëruar mesazhet me masa konkrete sociale dhe ekonomike. Po më 24 dhjetor, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi hapjen e 300 vendeve të reja të punës në institucionet shëndetësore serbe në Kosovë, si dhe vazhdimin e një konkursi tjetër për 50 vende pune të shpallur disa ditë më herët. Sipas njoftimit zyrtar, këto punësime përshkruhen si jetike për “qëndrimin dhe mbijetesën e popullit serb”, ndërsa theksohet se gjatë tre vjetëve të fundit mbi 1.500 persona janë punësuar në sektorin shëndetësor serb në Kosovë.

Këto masa janë paraqitur si dëshmi konkrete e “përkujdesjes së shtetit serb dhe e rolit personal të presidentit Vuçiq në mbështetjen e komunitetit serb në Kosovë”, duke e lidhur drejtpërdrejt mirëqenien sociale me orientimin politik dhe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Komisariati për Refugjatë dhe Migracion i Serbisë u bëri thirrje qytetarëve të zhvendosur nga Kosova, të cilët aktualisht ndodhen në Serbi, të marrin pjesë në zgjedhje. Autoritetet theksuan se çdo votë ka rëndësi për mbrojtjen e interesave dhe mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë.

Në tërësi, deklaratat e Petkoviqit dhe Vuçiqit ndërtojnë një narrativë të përbashkët që i paraqet zgjedhjet e 28 dhjetorit jo si një proces të rregullt demokratik, por si një moment kritik për mbijetesën politike, institucionale dhe kolektive të serbëve në Kosovë. Diskursi dominohet nga elemente të forta emocionale, retorikë e viktimizimit dhe mobilizim etnik, ndërsa Lista Serbe paraqitet si i vetmi mekanizëm mbrojtës ndaj asaj që përshkruhet si presion sistematik nga institucionet e Kosovës.

Në këtë mënyrë, fushata zgjedhore shndërrohet nga një proces politik në një narrativë ekzistenciale, ku pjesëmarrja në votim paraqitet si akt mbrojtjeje kolektive dhe jo si zgjedhje e lirë politike.

Të ngjashme