Sot në Hagë po vazhdon dëshmia e Nasim Haradinajt para trupit gjykues të Gjykatës Speciale.
I akuzuari Haradinaj ka folur edhe për momentin e arrestimit, derisa po shkonte për një intervistë në një televizion.
“Gjatë kohës kur kam shkuar për intervistë e kam parë një veturë të EULEX-it që ka qenë pranë taksit kur unë kam qenë, e mendova që jam duke u përcjellur. Nja 50 metra më poshtë ka dalë nga krahu i djathë i yni një xhip i madh i EULEX. Kishë qenë i parkuar brenda një rrugice dhe na erdhi nga mbrapa. Na bëri përshtypje, por s’ke diçka që aty për aty me mendu diçka. Më vonë e pashë që nuk lejojshin vetura që të na hynin në mes.
E pashë që janë në përcjellje. Asgjë tjetër. I thashë jep sinjal me u kthy në krahun e majtë por mos u kthe se kem me shku te T7. Kur dha ai sinjal ka dhënë menjëherë edhe xhipi që e kishim prapa. Aty e dita që janë duke na përcjell dhe i thashë taksistit vazhdo se qita janë pas nesh”, ka thënë ai.
Ai ka treguar edhe momentin kur Policia e Eulex-it e ka ndaluar edhe i ka thënë që duhet arrestuar.
“I thashë du mem arrestu me Policinë e Kosovës së bashku. E ka thirr dikë në telefon. Nuk e di a e ka thirr policinë. Më ka thënë në rregull por mos luaj deri sa të vijnë ata. Mu kanë afru gazetarët dhe më kanë thënë çka po të thonë. Ju kam thënë që kam urdhërarrest”, tha Haradinaj.