NATO ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, i cili deklaroi se “fuqitë e huaja” po dërgojnë trupa në kufirin e shtetit.
Për shkak të këtyre pretendimeve, Lukashenko ka vënë në gatishmëri forcat e armatosura.
Udhëheqësi bjellorus i cili qëndron në krye të shtetit që 26 vjet, deklaroi se NATO-ja po përpiqet ta përçajë Bjellorusinë dhe të vendosë një president të ri, transmeton KOHA.
Ai tha se ka vendosur në gatishmëri forcat e armatosura të shtetit pasi trupat e NATO-s, sipas tij, po lëviznin dhe organizoheshin në Poloni dhe Lituani.
“E shihni se tashmë ata po tentojnë të sjellin një ‘president alternativ’ këtu”, kishte thënë ai duke iu referuar Tsikhanouskayas, kundërshtare kryesore e Lukashenkos në zgjedhje.
“Mbështetja ushtarake është evidente – lëvizjet e trupave të NATO-s brenda kufijve”, kishte shtuar ai.
Duke mohuar këto deklarata, NATO ka thënë se nuk paraqet “kërcënim për Bjellorusinë dhe për asnjë shtet tjetër dhe nuk ka trupa ushtarakë në vendosura në rajon”.
Protestat që nisën para dy javësh, pas zgjedhjeve presidenciale, vazhduan edhe të shtunën në rrugët e Minskut. Protestuesit kërkojnë largimin e Lukashenkos, ndërsa kanë vazhduar të protestojnë edhe në qytete të tjera dhe fabrika, teksa autoritetet kanë mbyllur më shumë se 50 mediume të cilat kanë raportuar mbi protestat, raporton BBC.
Në një grumbullim masiv me rreth 200,000 protestues më 16 gusht në kryeqytet, Tsikhanouskaya, ka bërë thirrje për një tjetër grumbullim masiv për këtë të diel.
“Jemi më afër ëndrrës tonë se kurrë”, ka thënë ajo përmes një video mesazhi nga Lituania, aty ku ishte strehuar për shkak të përvojave nga zgjedhjet e kaluara, ku shumë kandidatë për presidentë ishin burgosur përgjatë viteve.