Rusia refuzoi sërish që të shkatërrojë raketat e saj të reja të vendosura në Evropë, që sipas NATO-s ka shkelur një traktat të arritur në vitin 1987, theksoi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, në përfundim të një mbledhje të këshillit të NATO-Rusi.
“Nuk kemi parë ndonjë tregues të vullnetit të Rusisë që t’i përmbahet Traktatit mbi Armët Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) duke shkatërruar këto raketa para datës 2 gusht”, deklaroi ai gjatë një konference për shtyp.
“Nëse duket e pamundur që të shpëtohet traktati, atëherë reagimi i NATO-s do të jetë i koordinuar dhe mbrojtës. Ne do të jemi të detyruar të reagojmë”, garantoi Stoltenberg.
Ministrat e Mbrojtjes së Aleancës miratuan më 26 qershor një seri masash ushtarake dhe politike, ku më e rëndësishmja është përforcimi i mbrojtjes antiajrore.