Gjendja e sigurisë në Afganistan mbetet ende një „sfidë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-,s Jens Stoltenberg për gazetën gjermane, “Welt am Sonntag”. Aktualisht aleanca ushtarake po shqyrton “mundësitë e zgjerimit me personel të misionit të trajnimit të misionit ‘Resolute Support’, aktualisht me rreth 13.000 vetë.”
Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjerimin e misionit të trajnimit vit pas viti, por për një “afat kohor të gjatë”, tha ish-kryeministri norvegjez, Stoltenberg për gazetën gjermane. Por vendimi për këtë zgjerim të misionit nuk do të merret tani, por në qershor.
Shtetet e NATO-s që zyrtarisht e mbyllën misionin luftarak në fund të vitit 2014, mbajnë ende 13.000 ushtarë të stacionuar në Afganistan. Rreth 8400 prej tyre janë ushtarë amerikanë. Në këtë mision merr pjesë edhe Bundeswehri përmes trajnimit, këshillimit dhe mbështetjes s ushtrisë afgane.
Më shumë angazhim në luftën kundër terrorit
Stoltenberg bëri të ditur, se aleanca do të angazhohet më shumë në të ardhmen në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. „Ne që tani bëjmë shumë, për shembull në Afganistan e Irak, por kemi potencial edhe për më shumë”, tha kreu i NATO-s për gazetën gjermane.
Trajnimi i forcave lokale është „arma më e mirë për të luftuar terrorin. Madje më mirë se të dërgosh trupa për të mbrojtur këto vende.”
Edhe presidenti Trump ka kërkuar në javët e shkuara më shumë angazhim të NATO-s në luftën kundër terrorit. Në takimin me Stoltenberg në mesin e prillit, Trump shprehu shpresën, që NATO të „marrë një rol më të rëndësishëm në mbështetjen e partnerëve irakianë në luftën kundër IS”.