Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, ishte vënë nën mbikëqyrje të vazhdueshme të Qeverisë në Moskë, qysh para se t’i humbiste ndjenjat gjatë një fluturimi me aeroplan, në rastin që ngriti dyshime për helmimin e tij, ka raportuar të dielën një e përditshme ruse.
Para kësaj ngjarjeje të së enjtes, Navalny ishte vëzhguar nga afër prej zyrtarëve të maskuar të FSB-së dhe lëvizjet e tij ishin monitoruar në çdo hap nga kamerat e sigurisë, bëhet e ditur në raportin e së përditshmes “Moskovsky Komsomolets”.
Navalny, një kritik i kahershëm i presidentit Vladimir Putin dhe aktivist i njohur kundër korrupsionit në vend, të shtunën është transportuar me një aeroplan special për trajtim në Gjermani.
Në artikullin e gazetës thuhet se burimet policore kanë treguar se si ata kanë ndjekur çdo lëvizje të politikanit, duke i përfshirë në këtë mes takimet e tij në qytetin Tomsk, identifikimin e banesën ku ai kishte qëndruar, si dhe mbledhjen e faturave të tij nga blerjet e realizuara nëpër dyqane. Informatat që iu zbuluan gazetës besohet se kishin për qëllim të demonstronin se Navalny nuk ishte helmuar në këtë qytet, por ato shpërfaqën shtrirjen e gjerë të vëzhgimit të aktiviteteve të tij nga ana e zyrtarëve të zbatimit të ligjit.
“Shërbimet e sigurisë janë të prira të besojnë se nëse ngjarjet e ndërlidhura me helmimin përnjëmend kanë ndodhur, atëherë duhet të kenë ndodhur në aeroport apo brenda aeroplanit”, ka shkruar gazeta. “Lëvizjet e tij dhe kontaktet në qytet janë studiuar në përpikëri”.
Duke iu kundërpërgjigjur shkrimit, zyrtarja për shtyp e Navalnyt, Kira Yarmysh, ka thënë se ekipi i opozitarit ka qenë në dijeni për përcjelljen e tij.
“Ndodh gjatë gjithë kohës kur Alexei shkon për vizita të punës nëpër rajone. Kështu që këto hollësi nuk na befasojnë fare. Ajo që është befasuese në fakt është se ata kanë vendosur që t’ia zbulojnë këtë fakt publikut kaq thjeshtë, sikur përcjellja e qytetarëve të thjeshtë të mos ishte ndonjë gjë e madhe, e për më tepër edhe i mbledhin faturat e tyre nga supermarketet”, ka thënë ajo.