Nazim Suma: Kemi filluar t’i harrojmë vuajtjet që i kemi kaluar në luftë

Prishtinë | 18 Qer 2021 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Nazim Suma, i cili në luftën e fundit në Kosovë ka qenë refugjat në Bllacë thotë se ajo çfarë ka kaluar është e trishtueshme sepse sipas tij ka qenë eksodi më i madh që prej Luftës së Dytë Botërore.

Suma tregon përjetimet e tij në kohën e luftës duke thënë se është detyruar të shkojë në Shkup, ku deri në Han të Elezit ka udhëtuar me autobus ndërsa prej atje e ka marrë trenin ku edhe e ka kaluar rrugën për në Bllacë.

“Kur kemi hipur në tren jemi detyruar të fshihemi unë dhe një shok tjetër. Unë e kam pas familjen tjetër në Shkup dhe iu kam bashkangjitur familjes. Ka qenë një rast i rrallë pasi që familja nuk ka pritur që mund të kthehem gjallë”, është shprehur Suma në Info Magazine të Klan Kosovës.

Tutje, Suma ndan kujtime duke thënë se disa prind që tani i ka edhe shokë, tërë kohën iu kanë lutur Zotit që edhe nëse ata vriten, fëmijët e tyre të kalojnë të gjallë, ndërsa thotë se shumica e njerëzve në Kosovë kanë filluar që t’i harrojnë të gjitha vuajtjet që i kanë kaluar.

“Shumica e neve disi kemi filluar që t’i harrojmë të gjitha vuajtjet që i kemi kaluar, por ndoshta jemi fajtorë edhe ne gjenerata më e vjetër që nuk po i transmetojmë gjërat më ashpër, kështu që kisha apeluar që mos t’i harrojmë ato që i kemi kaluar dhe të përgatitemi që ato të mos përsëriten”.

Të ngjashme