Toronto Raptors e mposhti Milwaukee Bucks me rezultat 120:102 në ndeshjen e katërt të finales së Konferencës së Lindjes në NBA. Tani rezultati i serisë finale është baras, që të dy skuadrat i kanë fituar nga dy ndeshje.
Basketbollisti i Raptors, 33-vjeçari Kyle Lowry, i shënoi 25 pikë, përfshirë këtu 18 në vetëm pjesën e parë të ndeshjes, ndërsa Kawhi Leonard, i cili ishte në NBA All Stars, i shënoi 19 pikë përkundër që ende po vuante nga lëndimi i gjurit që e kishte pësuar në ndeshjen e tretë.
Ky rezultat bën që Bucks t’i humbë vetëm për herë të dytë këtë sezon dy ndeshje radhazi.
Ndërsa, Raptors e kishte epërsinë prej 19 pikëve në çerekun e tretë dhe në fund fitoi për 18 pikë.
“Ne jemi detyruar të varemi shumë nga ai, kështu që kur të gjithë e ngrenë nivelin e tyre, atëherë edhe presioni mbi të lehtësohet”, ka thënë Lowry për bashkëlojtarin e tij, Leonardin.
Dyshja e Bucks, Khris Middleton dhe kandidati për MVP Giannis Antetokoumpo, kombinuan për t’i shënuar 55 pikë në “Scotiabank Arena”. Pas përfundimit të sezonit të rregullt e deri te ndeshja e tretë e serisë finale të Lindjes kundër Raptors, Bucks e kishte humbur vetëm një ndeshje.
“Mendoj se sonte nuk ishim mjaftueshëm të mirë në fazën e mbrojtjes. Ata vendoseshin në pozita të mira, e pasonin topin dhe bënin goditje të pastra. Ata shënuan edhe nga pozita të vështira dhe ky është një kombinim i keq”, ka thënë trajneri i Bucks, Mike Budenholzer.
Ndeshja e pestë e kësaj serie do të zhvillohet të enjten në Milëaukee. Më i miri nga shtatë ndeshjes do të përballet me kampionin në fuqi, Golden State Warriors, për t’u shpallur kampion i NBA.