Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka ndarë çmimet vjetore “Shkencëtari i vitit” 2016, për rezultate të jashtëzakonshme kërkimore- shkencore për gjatë periudhës një vjeçare për shkencëtarët Prof. Ass. Shukri Klinaku dhe Prof. Ass. Kreshnik Hoti, si dhe “Shkencëtari i ri i vitit” 2016 për rezultate dhe potenciale të larta kërkimore- shkencore për shkencëtarët e rinj, Dr. Bujar Shabani dhe Dr. Haki Jashari.
Ministri Bajrami, pasi ka vlerësuar lartë punën kërkimore- shkencore të studiuesve ka theksuar se, MAShT ka një traditë disa vjeçare të stimulimit të hulumtuesve për punën dhe të arriturat vjetore.
“Tradita jonë e ndarjes së këtij çmimi është një simbolikë dhe mirënjohje për hulumtuesit të cilët kanë kryer një punë të mirë gjatë vitit. MAShT po punon që të rrisë fondet, në mënyrë që të stimulojë hulumtuesit e rinj. Jemi duke punuar që ti ndërkombëtarizojmë këto të arritura vendore”, është shprehur Ministri.
Duke uruar laureatët, ministri Bajrami tha se, MAShT ka bërë përzgjedhje kredibile dhe është e përkushtuar që të përkrahë studiuesit e rinj dhe punën e tyre kërkimore- shkencore, e cila do të ndihmonte edhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Ndër të tjera, Ministri ka folur edhe për perspektivën evropiane të këtyre të hulumtuesve, duke theksuar se, BE ka hapur derën për përfitimin e fondeve të reja, të cilave duhet t’ u qasen hulumtuesit kosovarë.
Kryetarja e Këshillit Shkencor në MAShT, znj. Myzafere Limani ka thënë se, është kënaqësi e veçantë që t’ u drejtohet atyre të cilët me të vërtetë e kanë merituar këtë çmim. Këshilli Shkencorë është duke bërë përpjekje maksimale që të mbështesë këta studiues, duke pasur parasysh faktin se në mesin e tyre ka hulumtues të cilët kanë rezultate të barabarta me hulumtues ndërkombëtarë.
Ndërsa, Prof. Ass. Shukri Klinaku tha se, shpreson që Këshilli Shkencor ka vlerësuar punën e studiuesve dhe jo emrat e tyre, ndërsa ka falënderuar MASHT- in për mështetjen që po i jep punës kërkimore- shkencore.
Ndryshe, Prof. Ass. Shukri Klinaku i është ndarë çmimi “ Shkencëtar i vitit 2016” nga fusha e fizikës. Prof. Ass. Kreshnik Hoti, i është ndarë çmimi “Shkencëtar i vitit 2016” nga fusha e mjekësisë, ndërsa Dr. Haki Jashari dhe Dr. Bujar Shabani janë përfitues të çmimit “Shkencëtar i ri i vitit 2016”, po ashtu nga fusha e mjekësisë.