Ndaj turizmit në Shqipëri u krijua propagandë

Prishtinë | 20 Kor 2017 | 13:08 | Nga

Drejtori i agjencisë turistike “Sharr Travel”, njëherësh kryetar i Shoqatës së Turizmit të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, ka folur rreth ofertave turistike që ofron kjo agjenci për bregdetin shqiptar dhe atë të Ulqinit. Po ashtu, ai ka folur edhe për bllokimin e autobusëve të Kosovës në qytetin e Durrësit, përkatësisht në rrugën “Pavarësia”.

Ai ka thënë se për një veprim të tillë kanë qenë të njoftuar që në vitin e kaluar. Kurtishaj ka bërë me dije se kjo ndalesë nuk është bërë vetëm për ndalim të autobusëve nga Kosova, por për të gjithë autobusët që ndalen në rrugë për t’i zbritur pasagjerët e tyre për në plazhin e Durrësit, përfshirë këtu edhe kompanitë që udhëtojnë nga qytetet e Shqipërisë. Kurtishaj ka treguar në lidhje me këtë problem, se këtë të premte, së bashku me ambasadorin Qemal Minxhozi, do ta takojnë kryetarin e Bashkësisë së Durrësit.

“Epoka e re”: Z. Kurtishaj, si është duke ecur sezoni turistik për Shqipëri?

Kurtishaj: Sa i përket sezonit veror “Vera 2017” është duke shkuar jashtëzakonisht mirë dhe nuk kemi asnjë problem. Kërkesat më të mëdha nga qytetarët janë për udhëtime drejt Sarandës dhe Ksamilit. Interesim kanë shprehur edhe për plazhin e Velipojës dhe të Shëngjinit që nga muaji qershor, ndërkaq në muajin korrik kërkesa për pushime është në rritje për Sarandë, Dhërmi dhe Jalë, edhe Durrës dhe Ulqin.

“Epoka e re”: Çfarë ofertash të çmimeve të biletave keni për këto vende turistike?

Kurtishaj: Biletat janë shumë të lira. Çmimet janë jo vetëm promovuese, por janë pothuajse nën koston e shpenzimeve për udhëtime qofshin për Shëngjin, Sarandë, Vlorë apo edhe në vendet e tjera. Bileta njëdrejtimëshe për Durrës është 8 euro, kurse dydrejtimëshe 10 euro, për Ulqin 10 euro një drejtim, 15 euro kthyese, për Sarandë 15 euro njëdrejtimëshe, 20 euro kthyese, për Velipojë 8 euro, për Ksamil, Dhërmi, Jal, Himarë biletat janë 15 euro, kurse kthyese 20 euro. Janë çmime shumë të lira dhe udhëtarët udhëtojnë me autobus të standardeve evropiane. Me autobusët e “Sharr Travel”-it qytetarët që duan të marrin udhë për pushime përfitojnë edhe shërbime të tjera falas.

“Epoka e re”: Të mërkurën kishit takim me ambasadorin shqiptar në Kosovë, z. Qemal Minxhozi. Çfarë biseduat në atë takim lidhur me shqetësimin e krijuar për bllokimin e rrugës “Pavarësia” për kalimin e autobusëve që mbërrijnë nga Kosova?

Kurtishaj: Jam takuar në cilësinë e kryetarit të shoqatës dhe të drejtorit të “Sharr Travel”-it. Ky takim ishte vazhdimësi e takimeve tona të rregullta që i kemi për sezonin veror dhe të udhëtimeve të zakonshme në Shqipëri. Është një shqetësim që është ngritur ditët e fundit për ndalim të autobusëve nga Kosova të cilët udhëtojnë drejt plazheve të Durrësit. Sigurisht se ne i kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me veprimin i cili ka qenë i njëanshëm, pasi ajo rrugë tashmë është me një korse dhe nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Po ashtu, siguria nuk është e duhur për shkak të ngushtimit të rrugës. Besoj se edhe ju jeni në dijeni se tashmë aty është bërë një shëtitore, pasi janë ngushtuar dy shirita të rrugës dhe kjo ka vështirësuar qarkullimin e disa kompanive. Mirëpo, kemi parasysh faktin se për të hyrë në plazh janë edhe rrugët alternative dhe rrugët paralele.

Të ngjashme