Senati i UP-së shqyrtoi projekt-Rregulloren për Këshillin e Etikës dhe Kodin e Etikës

Prishtinë | 30 Pri 2025 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Senati i Universitetit të Prishtinës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e katërmbëdhjetë për këtë vit, ku ndër të tjera ka shqyrtuar projekt-Rregulloren për punën dhe procedurat në Këshillin e Etikës si dhe Kodin e Etikës për personelin akademik të UP-së, raporton Ekonomia Online.

Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, theksoi se dokumentet janë rezultat i një pune të vazhdueshme të Këshillit të Etikës, i cili ka përfunduar edhe procesin e hartimit të tyre, por kërkoi kohë shtesë për të shmangur përmbajtje të përsëritura apo kontradiktore ndërmjet dy dokumenteve.

“Ky Këshill i Etikës e ka gjetur një punë parapërgatitore nga Komisioni paraprak. Ata kanë ndryshuar bukur shumë po duket, edhe e kanë dorëzuar këtë rregullore dhe këtë kod të etikës. Procedurat kërkojnë që Kodi dhe rregullorja ta marrin lejen prej nesh dhe të nënshkruhet nga kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit”, tha rektori Hajrullahu.

Në këtë drejtim pati edhe komente nga Dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, i cili vuri në pah disa çështje që kërkojnë rishikim.

“Është diskutuar edhe në shtator, ka qenë edhe pjesa e sistemimit të masave dhe sanksioneve që duhet të jenë te Kodi i Etikës, jo te pjesa e Rregullores. Kishte disa pjesë që ka përsëritje. E njëjta materie te rregullorja dhe kodi në mënyra të ndryshme, prandaj mendoj që Këshilli i Etikës në funksionin që e ka dhe për draftim të rregullores është mirë që t’i adresojë edhe disa aspekte që të mos shkohet me gabime. Është kohë e shkurtër të intervenohet brenda mbledhjes së Senatit,” tha Puka.

Për këtë arsye, rektori Hajrullahu propozoi shtyrjen e pikave për të mundësuar kontributin e të gjithë senatorëve.

“Meqenëse janë dokumente kaq kyçe edhe dekani dhe juristë po thonë që ka përsëritje ose konflikte ndoshta edhe përmbajtësore. Se edhe Kodi edhe Rregullorja shkojnë dorë për dore, njëra me tjetrën. Ndoshta më mirë është edhe pika 3-4 të shtyhet, të vendoset në një datë. Secili prej këtij senati t’i japë komentet e veta, sugjerimet e veta”, tha ai.

Të ngjashme