UP-ja nënshkruan memorandum për gjithëpërfshirjen në arsim, synohet edhe punësimi i personave me nevoja të veçanta

Prishtinë | 29 Tet 2026 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Universiteti i Prishtinës dhe Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për promovimin e gjithëpërfshirjes në arsim dhe krijimin e mundësive të barabarta për kategoritë e margjinalizuara të shoqërisë, raporton Ekonomia Online.

Shala ka bërë të ditur se në kuadër të këtij bashkëpunimi, në dhjetor do të nisë fushata “Edukimi i barabartë, e ardhme e barabartë”, ndërsa në janar të vitit të ardhshëm do të organizohen ligjërata në fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës për ngritjen e vetëdijes mbi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në arsim.

Ajo tha se një nga synimet e memorandumit është krijimi i mekanizmave infrastrukturorë dhe edukues, si dhe përmbushja e kuotës ligjore për punësimin e personave me nevoja të veçanta.

“Në kuadër të fushatës për edukimin gjithëpërfshirës që do të nisë në dhjetor, edukimi i barabartë e ardhme e barabartë, ku përmes këtij memorandumi synohet gjithëpërfshirja në arsim për të gjitha kategoritë e margjinalizuara të shoqërisë sonë. Bashkë me rektorin sot u dakorduam që Universiteti i Prishtinës të krijojë mekanizma si infrastrukturorë ashtu edhe edukues për të gjitha kategoritë e ndjeshme të shoqërisë, në mënyrë që të gjithë të kenë një edukim të barabartë, natyrisht për një ardhme të barabartë. Jam shumë e lumtur me mbështetjen e madhe të rektorit dhe të Universitetit të Prishtinës që ky memorandum të nënshkruhet, ku në janar të vitit të ardhshëm ne do të nisim edhe me ligjërata të ndryshme nëpër fakultete të ndryshme të Universitetit të Prishtinës mbi ngritjen e vetëdijes sa i përket rëndësisë së gjithëpërfshirjes në arsim për të gjitha kategoritë e ndjeshme të shoqërisë. Përtej kësaj, bashkë me rektorin u gjuajtëm u zotuma që universiteti të plotësojë edhe kuotën mbi punësimin e personave me nevoja të veçanta, ku sipas ligjit thuhet që në çdo 50 punëtorë një duhet të jetë nga kjo kategori. Por nuk do të ndalemi vetëm tek kjo kategori sepse projekti është gjithëpërfshirës, pra do të përfshijnë të gjitha kategoritë e tjera. Projekti do të zgjasë sipas planit deri në mars të vitit të ardhshëm, pra është planifikuar një projekt tre-mujor dhe që do të shtrihet edhe në qytetet e tjera të Kosovës, por me fokus të veçantë në Prishtinë dhe në Universitetin e Prishtinës”, tha Shala.

Kurse, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se ky projekt do të shërbejë për të avancuar angazhimin e universitetit drejt gjithëpërfshirjes dhe garantimit të mundësive të barabarta në arsimim dhe studime.

“Po, edhe unë jam shumë i lumtur që ky projekt do të shërbejë edhe si katalizatorë që të jemi gjithëpërfshirës dhe t’ju ofrojmë të gjithëve mundësi të barabarta, mundësi të barabarta që t’i realizojnë të drejtat e edukimit, arsimimit, studimeve, si dhe ambiciet njerëzore për një ardhme më të mirë dhe një mjerëqenie më të mirë. Ne si universitet i Prishtinës kemi bërë progres bukur të madh edhe në këtë fushë, sa i përket gjithëpërfshirjes edhe një qasje inkluzive për të gjitha kategoritë, pavarësisht karakteristikave individuale që mund të ketë njeriu, e sidomos në këtë rast kur kemi të bëjmë me studentë, me persona me nevoja të veçanta. Mirëpo ne nuk do të kalojmë në vetë kënaqësi dhe jam i lumtur që kemi njerëz të vullnetit të mirë, ambasadore të vullnetit të mirë në këtë rast, që ne me projekte të tilla na angazhojnë që bashkarisht edhe t’i arrijmë qëllimet e synimet tona në gjithëpërfshirje edhe më mirë. Universiteti i Prishtinës është shumë i lumtur kur sheh që ish-studentët në këtë rast, siç është rasti me ambasadorin e vullnetit të mirë, vazhdojnë edhe mos ta harrojnë institucionin dhe të angazhohen në fusha kaq të rëndësishme për shoqëri më gjithëpërfshirëse, më inkluzive dhe më të drejta, që besoj se kjo është baza edhe e zhvillimit të qëndrueshëm shoqëror”, tha Hajrullahu.

Të ngjashme