Në rast se nuk e keni dëgjuar, ekuilibri punë-jetë është një mit. Në përgjithësi ne duhet të integrojmë jetën me punën. E vërteta është se asnjëri prej nesh kurrë nuk do të arrijë një ekuilibër të përsosur dhe përpjekja për të arritur atje vetëm sa na streson.
Integrimi në jetën e përditshme e pranon se ndonjëherë puna do të kërkojë më shumë vëmendjen tuaj dhe herë të tjera do të jetë jeta.
Por, duke vendosur kufij dhe duke u siguruar ju t’u jepni përparësi zakoneve të shëndetshme, do të jeni në gjendje të përparoni në të gjitha aspektet e jetës suaj.
Ju sjellim më poshtë disa këshilla se si të ndani punën nga jeta juaj e përditshme:
Bëni lista me detyrat që duhet t’u jepni përparësi
“Unë krijoj një listë to-do në fillim të javës dhe e redaktoj atë çdo mëngjes. Gjithashtu e shikoj para se të largohem nga puna në mënyrë që të mund të kontrolloj çdo gjë që kam bërë dhe të di se çfarë duhet të ketë prioritet mëngjesin tjetër. Kjo më jep një ndjenjë se e kam mbyllur mirë ditën dhe ndihem mirë mendërisht”.
–Meera S., menaxher marketingu, Londër.
Mos u stresoni që të përfundoni gjithçka në listën tuaj
“Unë mbaroj së pari detyrat më të rëndësishme të ditës dhe mbaj gjysmën e dytë të ditës për detyrat jo-prioritare. Në këtë mënyrë nuk stresohem se puna nuk do të përfundojë. Edhe nëse ka mbetur diçka, e di që të nesërmen do ta përfundoj. Kjo strategji më ndihmon shumë dhe mban në ritëm punën time!”
–Aakriti Agarwal, trajner dhe konsulent i imazhit, Hyderabad, Indi
Vendosni kufij për email-et e punës
“Unë kurrë nuk e kontrolloj email-in tim të punës ose telefonin gjatë fundjavës – përgjigja ime jashtë zyrës është e ndezur deri në orën 9 të mëngjesit të ditës së hënë. Në këtë mënyrë njerëzit e dinë që nuk duhet të presin një përgjigje nga unë dhe unë nuk ndihem fajtore që nuk u kthej përgjigje”.
–Fiona Brown, autore dhe trajnere për vetëbesimin, Londër
Lini pajisjet e punës në punë
“Kur lë punën, lë ndërtesën duke marrë vetëm çelësat dhe telefonin tim. Në të kaluarën unë merrja laptopin, bllokun e shënimeve, duke menduar se do të punoja më vonë në mbrëmje. Megjithatë, shanset janë se në mbrëmje ne jemi të lodhur dhe nuk do i hymë përsëri punës. Është një ndjenjë e mrekullueshme për të dalë nga ndërtesa vetëm me gjërat personale. Unë më pas shijoj kohën me familjen time dhe kur kthehem në punë të nesërmen, ndihem i relaksuar dhe i gatshëm për çdo pengesë”.
–Kirby Tousey, kreu i brandit dhe i përmbajtjes, Sheboygan, Wisconsin
Krijoni një ditë pune, edhe nëse nuk keni një orar tradicional
“Fillova biznesin tim rreth tetë vjet më parë, kur kisha një fëmijë. Në atë kohë puna ishte dytësore – Do të punoja kur më përshtatej mua: gjatë drekës, vonë në mbrëmje, të shtunave – kurdo që të ishte e përshtatshme. Pa kaluar 3 vjet unë papritmas kisha më shumë punë se sa mund të përballoja. Po punoja kudo, po kujdesesha për fëmijët në të njëjtën kohë dhe mora një vendim për të bërë një ditë pune të rregullt. M’u desh të punoja fort që të shmang punën pas orës 4 pasdite. Ndonjëherë projektet e mia nuk marrin të gjithë vëmendjen që u nevojitet dhe herë të tjera fëmijët nuk marrin të gjithë vëmendjen që duhet t’ju jap, por kam zbuluar se kjo mënyrë duke përcaktuar një orar pune të vërtetë, funksionon”.
–Caroline B., dizajnere interiori, Saratoga Springs, NY