Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar për ndalimin e hyrjes së ministrit të Kulturës së Kosovës, Hajrulla Çeku, në Serbi, raporton Ekonomia Online.
“Refuzimi i minutës së fundit – Akt tjetër izolimi ndaj shqiptarëve të Preshevës”, ka shkruar Sinani.
Ajo ka thënë se Qeveria e Serbisë e ka refuzuar hyrjen e Çekut vetëm një orë para orës së planifikimit të mbajtjes së vizitës.
“Refuzimi i minutës së fundit, akt tjetër izolimi ndaj shqiptarëve të Preshevës. Sot, në orën 12:30, ishte planifikuar vizita e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, z. Hajrulla Çeku, në Komunën e Preshevës. Qeveria e Serbisë refuzoi këtë vizitë vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashikohet në Marrëveshjen e Brukselit. Ky veprim është një tjetër dëshmi e tentativave për të izoluar shqiptarët e Preshevës, duke penguar bashkëpunimin dhe komunikimin institucional. Shqiptarët e Preshevës meritojnë trajtim të barabartë dhe respekt për të drejtat e tyre, ashtu si të gjithë qytetarët tjerë në rajon”, ka shkruar Sinani.