Veprimi me të cilin qytetarët parkojnë automjetet e tyre në rrugë që e pamundësojnë lëvizjen e lirë në komunikacion është ndodhi e shpeshtë në rrugën “Enver Maloku” të Prishtinës.
Ndalesa e tyre në hapësirat publike apo afër vendkalimeve pengon edhe lëvizjen e lirë të autobusëve të cilët në jo pak raste detyrohen të mos ndalojnë në stacionet e tyre.
Qytetarët thonë se ky veprim tregon papërgjegjësi, derisa sipas tyre, shkaku i këtij veprimi u rrezikohet edhe jeta, raporton KOHA.
Sipas ekspertit të komunikacionit, Bekim Ahmeti, një telash i tillë do të rregullohej me krijimin e më shumë hapësirave për parking.
Gjithashtu, Ahmeti shton se efekt do të kishte edhe mosdhënia e pëlqimit për hapjen e lokaleve afariste skaj rrugës që, sipas tij, është arsye që çon drejt një kaosi në komunikacion, shkaku i ndalesave të shpeshta.
Ahmeti tutje thotë se në raste të tilla fajin kryesor e bart Policia e Kosovës për mosintervenim ku sipas tij, në këto raste do të duhej të aplikoheshin gjoba.
KTV-ja ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës për media të Policisë së Kosovës për telashet e qytetarëve në rrugën ‘’Enver Maloku’’, por nuk ka marrë përgjigje.