Në veri të vendit është ndaluar një person i dyshuar, pasi në veturën e të njëjtit janë gjetur rreth 100 kartela të lojërave të fatit si dhe një telefon.
I ndaluari është M.K., i moshës 40-vjeçare.
“I dyshuari është sjellë në stacion policor ku është intervistuar nga hetuesit, ndërsa kartelat e dyshuara si dhe telefoni janë sekuestruar. Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt”, ka thënë Policia.
Sipas fotografive që i ka shpërndarë policia, shihet se kartelat janë të “Temu” dhe të “AliExpress”, që të dyja këto platforma për blerje online.
Policia ka apeluar te të gjithë qytetarët për bashkëpunim dhe rithekson përkushtimin e saj në luftimin e çdo dukurie që bie ndesh me ligjin.
“Çdo rast do të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, duke u siguruar që shkelësit e ligjit të përballen me drejtësinë”, tha Policia.