Librashitësit kishin menduar se gjykata asnjëherë nuk do të guxonte ta ndalonte “Don Kishotin” (Don Quixote). Por ata ishin gabuar dhe uebfaqja “Finding Farina” është mbyllur në përputhje me një letër të lëshuar nga gjykata “Magistrates Court 7 of Collado Villalba”.
Uebfaqja, siç thuhet në shkrimin e DW, që sot e transmeton “Koha Ditore” përmbante mjetin që përmes internetit ua mundësonte përdoruesve ta lexonin “Farinan”, një përmbledhje hetuese mbi trafikimin e drogës në Spanjën veriperëndimore në vitin 1980 dhe 1990, që ishte ndaluar në fund të muajit shkurt.
Mjeti këtë gjë e realizonte duke nënvizuar një nga një, secilën prej 80 mijë fjalëve në “Farina”, të cilat i nxirrte nga kryevepra letrare e shekullit shtatëmbëdhjetë e Miguel de Servantes. Para se të shpërbëhej, uebfaqja e përmbante edhe deklaratën: “sepse ato çfarë nuk do të mundë t’i censurojnë kurrë ata, janë të drejtat tuaja si lexues. As fjalët. Dhe fundja, jo ‘Don Kishotin’”.
“Ata nuk e kanë ndaluar ‘Don Kishotin’. Ata e kanë ndaluar vetëm një mjet online”, ka thënë Fernardo Valverde, sekretar i Shoqatës së Librashitësve të Madridit, organizator që qëndron pas “Finding Farina”.
“Por kjo masë është absurd. Nëse dikush dëshiron ta lexojë ‘Farinan’, është lehtë ta gjesh dhe ta shkarkojë online. Gjykata ka mandatuar të ndalojmë çdo iniciativë të ngjashme”, ka shtuar ai.
“Farina”, e gazetarit Nacho Carretero, ishte botuar fillimisht më 2015. Libri gradualisht është popullarizuar dhe është bërë bazë për një seri televizive. Seriali është duke u shfaqur aktualisht në televizione.
Në janar të vitit 2016, Jose Alfredo Bea Gondar, ish-kryetar i Bashkisë së O Grove i kishte paditur autorin dhe botuesin, duke argumentuar që “Farina” përfshinte shpifje ndaj tij. Libri pohon se Bea Gondar kishte bashkëpunuar me kartelet kolumbiane dhe mafiat lokale për të kontrabanduar kokainën në Spanjë. Ish-kryetari ishte akuzuar dhe dënuar me katër vjet burgim për shkak të këtyre veprimeve më 2001, por më vonë qe liruar pasi dëshmitari kryesor e kishte tërhequr dëshminë e tij. Bea Gondar më 2005 ishte dënuar për shpëlarje parash, të përfituara nga trafikimi i drogës. Ai kishte kaluar tre vjet në burg asokohe. Bea Gondar i kishte hedhur poshtë akuzat.
Në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, ai ka thënë se asnjëherë nuk ishte përfshirë në trafikim të drogës.
“I vetmi miell që kam prekur ndonjëherë, është ai lloji që e përdori për të gatuar”, ka thënë ai.
Bea Gondar përmendet vetëm në dy rreshta në “Fairna”. Deri më tani, emri dhe rrëfimi i tij nuk kanë qenë të njohur nëpër Spanjë.
Një gjykatës në gjykatën “Collado Villalba” urdhëroi ndalimin e shitjes së librit, pasi që Bea Gondar pagoi 10 mijë euro. Ditën tjetër, “Farina” godit nëpër toplistat e bestsellerëve. U bë libri më i shitur i Spanjës në “amazon”, duke arritur kulmin e popullaritetit. Transmetuesi “Antena 3” e solli premierën e serisë televizive. E gjitha vazhdoi deri më 22 shkurt, kur fjala zyrtare më në fund arriti tek botuesit, dhe librashitësit u ndaluan ta shesin atë. Gjykatësi e ka ndaluar shitjen e librit duke mbështetur pretendimin në deklaratat e Jose Alfredo Bea Gondar, që nderi i tij duhet mbrojtur. Sado që rastet e tilla nuk janë të rralla, është ekstremisht e rrallë që një libër të hiqet nga dollapët e shitjes. Kur një botues shpallet fajtor, dënimi më i zakonshëm është që gjykata të kërkojë modifikimin apo korrigjimin e librit. Por ky rast mund të krijojë precedent të rrezikshëm, ka paralajmëruar avokati Raul Mediavilla.
“Mund të hapë dyer për cilindo person që shfaqet në një vepër jofiktive, që ta paralizojë distribuimin e një libri”, thotë ai.
“Farina” është libri i parë që i ndalohet shitja në Spanjë, në gati se 40 vjetët e fundit, me përjashtim të rasteve të plagjiaturës. Libri i fundit që ishte larguar nga libraritë ishte “The Little Red Schoolbook”, i edukatorëve danezë Soren Hansen dhe Jesper Jensen, botuesi i të cilit kishte përfunduar në burg. Kjo ngjau më 1980.